Policia italiane në Bernalda, provinca e Materës, ka ekzekutuar tre urdhër-arreste ndaj personave të dënuar për vepra penale të trafikimit të drogës, të kryera gjatë viteve 2019–2020.
Sipas medias italiane Il Mattino, në pranga ranë dy shtetas shqiptarë, babë e bir, përkatësisht 60 dhe 32 vjeç, të dënuar për komplot për trafik droge dhe për disa episode të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve të kryera nga skuadra e posaçme e policisë, u sekuestruan mbi 50 mijë euro para cash, të cilat dyshohet se burojnë nga aktiviteti i paligjshëm, rreth 20 gramë kokainë, si dhe materiale të përdorura për paketimin e drogës.
Në një prej pronave të lidhura me të arrestuarit u identifikua edhe një 19-vjeçar italian, të cilit iu gjetën 3 400 euro cash. Ai u akuzua për posedim me qëllim trafikimi.
Dy shtetasit shqiptarë janë transferuar në burgun e Materës, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të tyre kriminal.






