Një nga pistat kryesore që po hetohet për ekzekutimin me disa plumba të Lulzim Vishës në fshatin Zall Mner të Tiranës është hakmarrja. Autoritetet dyshojnë se vrasja lidhet me një ngjarje të vitit 1997, ku vëllai i viktimës, Besnik Visha, kishte ekzekutuar me armë zjarri shtetasin Refik Domi.
Për këtë krim, Besnik Visha u dënua në mungesë nga Gjykata e Tiranës me 12 vite burg për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”. Megjithatë, ai qëndroi për disa vite në arrati derisa u kap nga forcat RENEA në tetor të vitit 2008. Gjatë arrestimit, ai u gjet në posedim të një arme automatike me 30 fishekë.
Gjatë marrjes në pyetje në atë kohë, ai pranoi se mbante armën për vetëmbrojtje, duke argumentuar se kishte konflikte të hapura me anëtarë të familjes së Refik Domit. Për posedimin e armës dhe fishekëve, atij iu shtua edhe 10 muaj burgim në dënimin e mëparshëm.
Aktualisht, Besnik Visha ka mbaruar dënimin dhe është larguar jashtë Shqipërisë. Ndërsa viktima e fundit, 48-vjeçari Lulzim Visha, nuk kishte asnjë precedent penal të regjistruar në dosjet e policisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes dhe identifikimin e autorëve.






