Paralelisht me seancën plenare të kësaj të enjteje, më 12 mars, ku priten debate të forta politike për çështjen e imunitetit të deputetes së Partisë Socialiste dhe ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, qytetarë dhe mbështetës të opozitës janë mbledhur në protestë para Kuvendit të Shqipërisë.
Protestuesit janë mobilizuar nga qytete të ndryshme të vendit, duke iu përgjigjur thirrjes së opozitës për të kundërshtuar atë që e cilësojnë si një mazhorancë të përfshirë në korrupsion dhe që, sipas tyre, po mbron zyrtarë të lartë të përfshirë në afera të hetuara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Në qendër të debatit politik është rasti i deputetes socialiste Belinda Balluku. Prej rreth dy muajsh, SPAK ka paraqitur në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të saj, çështje që ka shkaktuar përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj kësaj kërkese, duke deklaruar se nuk do të lejojë një vendimmarrje të tillë, çka ka shtuar tensionet politike në vend.
Teksa protesta zhvillohet para Kuvendit, zhvillimet po ndiqen nga afër edhe nga përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë kanë theksuar rëndësinë e hetimit të korrupsionit dhe krimit në nivelet më të larta shtetërore, duke e lidhur këtë proces edhe me rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.






