Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar në Korçë, ku një 17-vjeçar, Petraq Koçi, ka plagosur me thikë 34-vjeçarin Bernard Qelemeni, pas një përplasjeje të ndodhur në një lokal të qytetit.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një ngjarje e ndodhur rreth dy vite më parë, kur Bernard Qelemeni kishte vjedhur banesën e familjes së adoleshentit. Pas vjedhjes, 34-vjeçari ishte larguar drejt Greqisë, ku kishte jetuar për një periudhë kohe.
Burime zyrtare bëjnë me dije se ditët e fundit Qelemeni ishte kthyer në Korçë, ku është përballur rastësisht me 17-vjeçarin në lokalin ku ndodhi ngjarja. Takimi i papritur ka sjellë përshkallëzim të menjëhershëm të tensioneve mes tyre.
Sipas hetimeve, fillimisht 34-vjeçari ka goditur me grusht të miturin, ndërsa ky i fundit është kundërpërgjigjur duke e goditur me thikë në krah, duke i shkaktuar plagë që kërkuan ndihmë mjekësore.
Pas incidentit, 17-vjeçari ka tentuar të largohet nga vendngjarja, por është ndaluar nga forcat e policisë, të cilat mbërritën menjëherë pas njoftimit. I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i mituri është shoqëruar në komisariat dhe po merret në pyetje në prani të prindërve dhe përfaqësuesve ligjorë.
Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet të përcaktohet edhe masa ligjore që do të merret ndaj të miturit.






