Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se imuniteti parlamentar nuk duhet të kthehet në pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit. Reagimi vjen në një moment kur në Kuvend pritet të votohet lidhur me imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.
Në deklaratën e publikuar, Ambasada Britanike nënvizon rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor, duke vlerësuar njëkohësisht progresin që Shqipëria ka bërë në reformën në drejtësi që nga viti 2016, përfshirë edhe krijimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas ambasadës, ekzekutivi, gjyqësori dhe legjislativi duhet të mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi, në funksion të objektivit strategjik të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, thuhet në reagimin e Ambasadës Britanike.






