Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës në Kuvend, Ina Zhupa, zhvilloi një takim me operatorët turistikë detarë në Vlorë, ku u njoh nga afër me problematikat që ata po përballin në aktivitetin e tyre.
Sipas Zhupës, sipërmarrësit ngritën një sërë shqetësimesh serioze që lidhen me mungesën e vendeve për ankorimin e anijeve turistike, mungesën e infrastrukturës për mjetet detare, problemet me energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë, si dhe procese gjyqësore të hapura për taksa që, sipas tyre, janë hequr më parë nga Bashkia Vlorë.
“Ajo që dëgjova nga operatorët turistikë detarë është një tablo shqetësuese e mënyrës se si pushteti lokal në Vlorë po trajton një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së qytetit. Në vend që Bashkia të jetë në krah të sipërmarrësve dhe të lehtësojë aktivitetin e tyre, ajo është kthyer në pengesën kryesore për punën dhe investimet e tyre,” u shpreh Zhupa.
Ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga operatorët ishin mungesa e vendeve për ankorimin e anijeve turistike dhe infrastruktura e pamjaftueshme për mjetet detare. Ata pretendojnë gjithashtu se porti është kthyer praktikisht në një monopol që përjashton operatorët e tjerë.
Sipas deputetes, operatorët raportuan edhe raste kur përballen me procese gjyqësore dhe bllokim të llogarive bankare për një taksë që vetë Bashkia e ka pranuar si të padrejtë dhe e ka hequr me vendim të Këshillit Bashkiak, por që ende vazhdon të prodhojë pasoja administrative.
Gjithashtu u ngrit shqetësimi për mungesën e një mjeti për emergjencat në det, një situatë që, sipas tyre, është e papranueshme për një qytet bregdetar që synon të zhvillojë turizmin. Operatorët kërkuan gjithashtu korridore portuale dhe mbështetje nga shteti, përfshirë subvencionimin e karburantit, siç ndodh në disa vende turistike.
Zhupa paralajmëroi se do t’i drejtohet me kërkesa zyrtare Bashkisë së Vlorës për secilën nga këto problematika, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale. “Operatorët turistikë të Vlorës meritojnë të kenë kushtet dhe mbështetjen për të punuar normalisht dhe për të kontribuar në zhvillimin e qytetit,” theksoi ajo.






