Një ish-futbollist i kombëtares së Anglisë dhe Premier League u arrestua në Aeroportin e Stansted, i dyshuar për tentativë përdhunimi ndaj një ish-partnereje.
Lojtari, që ka veshur fanellën e “Tre Luanëve” gjatë viteve 2010, u ndalua nga autoritetet kufitare gjatë kontrollit të pasaportave, pasi sistemi sinjalizoi se ai ishte i kërkuar nga policia lidhur me një akuzë të raportuar disa javë më parë.
Agjentët e Border Force e tërhoqën në mënyrë diskrete para se të hipte në një fluturim të dielën në mbrëmje. Menjëherë më pas, oficerë të Policisë së Essex-it mbërritën dhe e arrestuan. Ai u shoqërua në komisariat, ku iu morën shenjat e gishtave, mostër ADN-je dhe foto zyrtare.
Ish-futbollisti është liruar me kusht, ndërsa hetimet vazhdojnë. Policia e Essex-it njoftoi se ai nuk mund të largohet nga vendi dhe duhet të raportojë rregullisht deri në përfundimin e hetimeve, të cilat pritet të zgjasin deri në fund të shkurtit 2026.






