17.5 C
Tiranë
Monday, September 16, 2024
spot_img

Ish-Kryebashkiaku i Lushnjës Fatos Tushe përballet me akuza të reja për mosdeklarim pasurie

Ish-kryebashkiaku socialist i Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe, i cili u dënua në vitin 2022 për shpërdorim detyre, pritet të përballet sërish në Gjykatën e Posaçme, kësaj radhe nën akuzën e mosdeklarimit të pasurisë. Sipas Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas përfundimit të hetimeve ka dyshime të arsyeshme se Tushe disponon “de facto” një apartament në Lungomare të Vlorës me sipërfaqe 82 metra katrorë, të cilin nuk e ka deklaruar. Gjithashtu, nuk ka deklaruar as investimet e kryera në këtë apartament me një vlerë totale prej 2,262,000 lekësh. Aktualisht, ky apartament është sekuestruar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Sipas SPAK, Tushe nuk ka deklaruar blerjen e dy automjeteve me vlerë totale gati 47 mijë euro në vitin 2021. Në njoftimin e SPAK thuhet:

Nga tërësia e akteve dhe e provave të administruara gjatë hetimit, provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se i pandehuri Fatos Tushe, ish-kryetar i Bashkisë Lushnjë, ka kryer deklarim të rremë të pasurisë dhe interesave, si dhe ka kryer fshehje të pasurisë, interesave dhe shpenzimeve në këto deklarata: Në deklaratën e interesave private periodik/vjetor të viteve 2017, 2018, 2019, 2020, apo në deklaratën e interesave private pas largimit nga detyra të vitit 2021, nuk ka deklaruar asnjë shpenzim të kryer për blerje/porositje të apartamentit me sipërfaqe totale 82.33 m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, apo dhe për punime dhe mobilime, të cilat në shumën reale totale janë 2,262,000 lekë. Hetimi ka provuar se i pandehuri Fatos Tushe, edhe pse është pronar ‘de facto’ i apartamentit në qytetin e Vlorës, në Lungomare, e ka fshehur këtë pasuri.

Aktualisht ndaj kësaj prone është vendosur sekuestro preventive me vendimin Nr. 136., datë 29.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në deklaratën e interesave private periodik/vjetor të viteve 2018, 2019, 2020, apo në deklaratën e interesave private pas largimit nga detyra të vitit 2021, nuk ka deklaruar huanë/borxhin e marrë nga shtetasi I. L. sipas deklaratës noteriale Nr. 3124 Rep., Nr. 1320 Kol., datë 15.09.2020, notere A. M. Në deklaratën e interesave private pas largimit nga detyra me Nr. indeksi 09559 të vitit 2021, nuk ka deklaruar investimin e kryer për blerjen e dy automjeteve, model ‘S350CDI 4MATIC’ (me vlerë të paguar 39.620 euro) dhe ‘C200CDI’, marka ‘Mercedes Benz’ (me vlerë të paguar 7.290 euro), gjithsej në vlerën 46.910 euro”.

Tushe u arrestua në vitin 2021 në një nga operacionet më të hershme të SPAK, pasi hetimet zbuluan një skemë të manipulimit të tenderëve dhe vjedhjes së karburantit të blerë për përdorim të bashkisë. Gjatë procesit gjyqësor, Tushe u shpall i pafajshëm për akuzën e korrupsionit, por u dënua me 2 vjet e 4 muaj për abuzim me detyrën. Ai përfundoi dënimin dhe u lirua nga burgu në janar 2023. Tushe ka qenë kryebashkiak i Lushnjës nga viti 2007 deri në vitin 2009 dhe nga viti 2011 deri në vitin 2021 kur u shkarkua për shkak të arrestimit nga SPAK.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT