Ish-ministri britanik i Emigracionit, Robert Jenrick,nuk është më pjesë e Partisë Konservatore, pas vendimit të formacionit për ta larguar nga të gjitha strukturat. Lëvizja vjen ndërsa konservatorët po humbasin figurat e tyre kryesore drejt Partisë Reformë të Nigel Farage, dhe Jenrick shihet si emri i radhës që mund të bashkohet me rivalin e djathtë.
Jenrick njihet për qëndrimet e tij të ashpra anti-emigracion, ku shpesh janë kritikuar veçanërisht politikat e tij ndaj shqiptarëve. Ai u bë i famshëm nga një video virale ku i kërkonte oficerëve britanikë të identifikonin dhe deportonin shqiptarët “kudo që gjendeshin në Britani”, një fushatë që u interpretua si stigmatuese për komunitetin shqiptar.
Por retorika e tij nuk u ndal me kaq. Jenrick mbështeti fort politikën e Ruandës, që parashikon deportimin e azilkërkuesve në këtë vend afrikan, duke përfshirë dhe emigrantët shqiptarë të rinj që kishin mbërritur nëpërmjet Kanalit.
Pas kritikave të brendshme dhe rënies së Partisë Konservatore në zgjedhjet e vitit 2024, Jenrick dha dorëheqjen nga posti i tij, duke iu afruar gjithnjë e më shumë linjës së ashpër të Nigel Farage. Largimi i tij nga konservatorët shënon një tjetër humbje të rëndësishme për formacionin në prag të sfidave politike të ardhshme.






