Qytetarët italianë i kanë dhënë një goditje të fortë qeverisë së drejtuar nga Giorgia Meloni, duke rrëzuar në referendum reformën në drejtësi të propozuar prej saj. Rreth 53% e votuesve u shprehën kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërsa pjesëmarrja arriti në rreth 59%, një nivel i konsiderueshëm për një proces të tillë.
Referendumi dyditor kishte në fokus ndarjen e roleve mes gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe reformimin e organeve mbikëqyrëse të drejtësisë, një nismë që qeveria e konsideronte si hap drejt një sistemi më të pavarur. Megjithatë, vota popullore e rrëzoi këtë projekt.
Në një reagim publik, Meloni pranoi rezultatin pa lënë të kuptohet për dorëheqje. “Sovraniteti i përket popullit dhe italianët janë shprehur qartë. Ne e respektojmë vendimin… Ne do të ecim përpara, siç kemi bërë gjithmonë, me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt për popullin italian dhe për Italinë”, deklaroi ajo.
Nga ana tjetër, opozita e përshëndeti rezultatin si një kthesë politike. Ish-kryeministri Giuseppe Conte e cilësoi votën si sinjal për një “pranverë të re politike”, ndërsa Matteo Renzi theksoi se “kur populli flet, qeveria duhet të dëgjojë”.
Edhe liderja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, e konsideroi rezultatin një fitore të madhe politike, duke theksuar rolin vendimtar të qytetarëve në përmbysjen e pritshmërive fillestare.
Rezultati i referendumit pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në skenën politike italiane, duke rritur presionin mbi qeverinë dhe duke hapur një kapitull të ri për debatet mbi reformën në drejtësi.






