Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shpallur se do të marrë masa pas shkeljes së marrëveshjes nga grupi militant Hamas, i cili nuk ka dorëzuar eshtrat e shtetases izraelite Shiri Bibas, siç ishte rënë dakord. Ky incident ka ndodhur pasi specialistët izraelitë konfirmuan se një nga katër trupat e dorëzuar nga Hamasi ishte i një gruaje të paidentifikuar, dhe jo i Bibas.
Hamas ka deklaruar se do të shqyrtojë pretendimin e Izraelit, ndërkohë që autoritetet izraelite akuzojnë grupin palestinez për shkelje të marrëveshjes për shkëmbimin e trupave dhe pengjeve.
Në një deklaratë të tij, Netanyahu theksoi se Izraeli do të veprojë me vendosmëri për të siguruar kthimin e Shiri Bibas dhe të gjithë pengjeve të tjerë, duke paralajmëruar se Hamasi do të paguajë çmimin për këtë shkelje të marrëveshjes.
Ky incident ka ndodhur ndërsa përpjekjet për një fazë të dytë të armëpushimit vazhdojnë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që trysnia për arritjen e marrëveshjes është rritur.