Pas sulmeve izraelite që shkaktuan 104 viktima, përfshirë 46 fëmijë, ushtria izraelite njoftoi ditën e sotme se armëpushimi në Gaza është rikthyer. Këto sulme janë konsideruar si më vdekjeprurëset që nga fillimi i armëpushimit më 10 tetor.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se urdhri për sulmet u dha pas akuzave ndaj grupit islamik Hamas, të cilin e akuzoi për shkelje të armëpushimit. Sipas pretendimeve izraelite, Hamas supozohej të kthente pengjet sipas marrëveshjes, por besohet se ata kanë kthyer vetëm mbetje të pengjeve të rikuperuara më parë gjatë konfliktit.
Situata u tensionua më tej nga të shtëna dhe vrasja e një ushtari izraelit gjatë një shkëmbimi në Rafah.
Në mbështetje të veprimeve të Izraelit ka dalë edhe Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili deklaroi se sulmet janë të justifikuara, duke argumentuar se vonesat nga Hamas në shkëmbimin e pengjeve e bënë të nevojshme këtë reagim.






