Prokurorja e SPAK-ut, Enkeleda Millonai, magjistratja e ‘hekurt’ që kopsiti dosjen e korrupsionit 20-vjeçar të Arben Ahmetataj si dhe dosjen e parë të korrupsionit të Familjes Berisha.
Enkeleda Millonai është një nga prokuroret shqiptare që është trajnuar dhe ‘stërvitur’ nga amerikanët për gjurmimin e parave dhe hetimin e pastrimit të parave.
Ka zhvilluar disa sesione trajnuese intensive me agjentë të FBI për teknikat e hetimit të korrupsionit, pastrimit të parave si dhe hetimit me agjentë të infiltruar.
Trajnimet janë organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe OPDAT.
Është përgatitur gjithashtu nga PAMECA, Misioni i Asistencës Policore të Komunitetit Evropian në Shqipëri, për sekuestrimin e pasurive të palugjshme.
Millonai ka qenë edhe në Kroaci, ku është njohur me përvojën e drejtësisë kroate në goditjen e korrupsionit në nivele të larta dhe sidomos kopsitjen e dosjes për ish kryeministrin Ivo Sanader, i dënuar disa herë për korrupsion.
Ka vizituar USKOK në Kroaci, ka parë nga afër dosje dhe është njohur me sfidat historike hetimore në Kroaci.
E pakomromis, e heshtur, e vendosur dhe profesioniste, Enkeleda Millonai frymëzon sot mijëra shqiptarë, ndërsa drithëron rrënjët e vjetra dhe të reja të korrupsionit në të gjitha krahët, në pushtet dhe opozitë, në binzes dhe në nivelet e administratës.
Pas tre viteve hetim të thelluar dhe gjithanshëm, për një prej aferave kyçe të Familjes Berisha, grabitjes së ish pronës shtetërore ish Klubi Partizani dhe ngritjes mbi të të 17 kullave me para të pista, Enkeleda Millonai tronditi politikën shqiptare, duke kërkuar arrestimin e dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash, si dhe akuzuar për herë të parë Sali Berishën për korrupsion pasiv.
Por, prokuroja Enkeleda Millonai i ka dhënë një tjetër dimension reputacionit, besueshmërisë dhe seriozitetin të SPAK.
Prokurorja ka përballuar me qetësi presionin e Sali Berishës gjatë muajve të fundit, por edhe pas goditjes së dhëndrit të tij.
Nuk mund të mohohet roli i prokurorëve të tjerë si Altin Dumani dhe Arben Kraja, dhe as i anëtarëve të dy Gjykatave Speciale, por megjithatë dosja e korrupsionit për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij mban emrin e Enkeleda Millonait.
Po kush është Enkeleda Millonai?
Enkeleda Millonai ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 2003.
-Ka mbarur Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009.
-Ajo ka punuar si sekretare gjyqësore në vitet 2003-2006 dhe më pas si prokurore në Prokurorinë e Tiranës, atë të Krimeve të Rënda si dhe në Prokurorinë e Elbasanit.
-Në Prokurorinë e Tiranës, Millonai ka qenë pjesë e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financuar, ndërsa tek Krimet e Rënda ishte pjesë e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit dhe Pasurisë.
-Në vitin 2016, Millonai u komandua zv.drejtuese e Prokurorisë së Elbasanit.
-Në prill të vitit 2018, Enkeleda Millonai mori drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit. Edhe në Prokurorinë e Elbasanit ka mbuluar goditjen e krimit dhe korrupsionit përmes sekustrimit të pasurive.
-Në qershor të vitit 2019, Enkeleda Millonai kaloi Vetingun pa asnjë problem. Prokurorja përmbushi me sukses të tre kriteret atë të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit.
-Me 25 nëntor 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi Enkeleda Millonai prokurore të SPAK-ut, bashkë me 7 prokurorë të tjerë.