Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, theksoi sot se partia duhet të qëndrojë e bashkuar në betejën kundër qeverisë, duke refuzuar çdo ide për përjashtimin e zërave kritikë brenda strukturave.
Në një intervistë për Studio 24 në News24, Tabaku komentoi lëvizjet e ish-deputetit Ervin Salianji, duke theksuar se mendimi ndryshe është i vlefshëm dhe nuk duhet goditur.
“Ervini duhet ti kishte dhënë mendimet e tij në strukturat e partisë. Unë vlerësoj këdo që ka mendim ndryshe. Jam kundër sulmit ndaj atyre që kanë mendim ndryshe. Edhe unë kam pasur mendim ndryshe dhe nuk besoj që mendimi ndryshe na bën keq”, deklaroi ajo.
Tabaku shtoi se nuk ka dijeni për ndonjë vendim të kryesisë për largimin e Salianjit dhe se “nuk përjashtohet njeri për mendim ndryshe”. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkimit të të gjithë potencialit të PD-së përballë qeverisjes:
“Sot të gjithë potencialin që ne kemi duhet ta kemi përballë qeverisjes. PD bëri një hap përpara për t’i shtrirë dorën kujtdo që kalon përtej interesit politik. Në këtë betejë ne kemi nevojë që t’i kemi të gjithë bashkë”.






