Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në orët e mbrëmjes është shmangur një incident fizik mes deputetit të LSDM, Martin Kostovski dhe deputetit të së Majtës, Dimitar Apasiev.
Në videon e publikuar nga Alsat shihen dy kolegët maqedonas duke e shtyrë njëri-tjetrin, ndërsa ndërhyjnë deputetët Goran Misovski dhe Arbër Ademi, për t’i ndarë.
Ngjarja e pahijshme ka ndodhur gjatë seancës ku po zhvillohet debati për propozimin francez, i cili deri tani nuk ka kaluar për miratim.
Apasiev, i cili njihet si një radikal i së majtës, ka bërë një akuzë të fortë dhe në drejtim të deputetëve shqiptarë, duke thënë se ata nuk kanë të drejtë që të vendosin për fatin e maqedonasve.
Apasiev i bëri thirrje deputetëve shqiptar të mos e mbështesin propozimin francez sepse sipas tij do të hapet kutija e Pandorës dhe më pas shqiptarët nuk do të kenë të drejtë morale të ankohen kundër majorizimit.
Apasiev shtoi se me kalimin e propozimit francez, problemet ndër etnie do të dalin në pah sepse sipas tij, partitë shqiptare po vërtetojnë se janë kundër interesave të popullit maqedonas.