13.5 C
Tiranë
Sunday, November 10, 2024
spot_img

Juria shqyrton akuzat kundër Trump për manipulim të të dhënave të biznesit dhe konspiracion

Donald Trump është përballur me akuzat e “konspiracionit dhe fshehjes” gjatë argumenteve mbyllëse në gjyqin penal për manipulimin e të dhënave të biznesit, tha një prokuror të martën. Pala mbrojtëse, nga ana e saj, e cilësoi dëshmitarin kryesor të çështjes si “gënjeshtarin më të madh të të gjitha kohërave” dhe kërkoi që juria të hedhë poshtë akuzat ndaj Trump.

Deklaratat e kundërta të palëve, të mbështetura në vlerësime të ndryshme për besueshmërinë e dëshmitarëve dhe fuqinë e provave, përfaqësonin një mundësi të fundit për të bindur jurinë. Pas mbylljes së argumenteve, juria do të tërhiqet për të marrë një vendim lidhur me çështjen e parë penale kundër një ish-presidenti amerikan.

Gjyqi shqyrtoi akuzat se Trump dhe aleatët e tij komplotuan për të bllokuar një histori të turpshme gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, përfshirë pagesa për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografik, e cila pretendoi se kishte patur marrëdhënie seksuale një dekadë më parë me Trump.

Ky rast, në thelbin e tij, ka të bëjë me një komplot dhe fshehje,” tha prokurori Joshua Steinglass përpara jurisë. Juria mund të fillojë shqyrtimin e marrjes së një vendimi që të mërkurën. Steinglass shtoi se “ne kurrë nuk do ta dimë nëse kjo përpjekje për të manipuluar votuesit ndikoi në zgjedhjet e vitit 2016, por kjo nuk është diçka që duhet ta provojmë.

Todd Blanche, avokati i Trump, i tha jurisë se nuk mund t’i besohej as aktores Stormy Daniels dhe as avokatit të Trump-it që e pagoi atë, Michael Cohen. “Presidenti Trump është i pafajshëm. Ai nuk ka kryer asnjë krim dhe prokuroria nuk e ka përmbushur barrën e provës,” tha Blanche.

Pas më shumë se katër javë dëshmish në gjyqin penal ndaj Trump, vendimi i jurisë përbën një detyrë historike, duke vendosur nëse do ta dënojë kandidatin republikan për president përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Tonet politike u shfaqën hapur ndërsa fushata e Presidentit Joe Biden organizoi një konferencë shtypi jashtë ndërtesës së gjykatës me aktorin Robert De Niro. Avokati mbrojtës i kujtoi jurisë se çështja nuk ishte një referendum lidhur me pikëpamjet e tyre për Trump.

Prokurori Steinglass pranoi se dëshmia e zonjës Daniels lidhur me takimin e supozuar të vitit 2006 në një hotel në Lake Tahoe, të cilin Trump e ka mohuar, në disa raste ishte për të dëshiruar. Por ai tha se detajet që ajo ofroi kishin plot elementë që tingëllonin të vërtetë. “Historia e saj është e pazakontë. Kjo i bën njerëzit të mos ndihen rehat kur e dëgjojnë. Ndoshta për disa prej jush është e pakëndshme për ta dëgjuar. Por ky është qëllimi. E thënë thjesht, Stormy Daniels është motivi,” tha Steinglass.

Çështja e pagesës për heshtje doli në pah ndërsa në një regjistrim të ekipit televiziv të emisionit “Access Hollywood” në vitin 2005, Trump dëgjohet duke folur me mburrje për prekje seksuale të grave pa pëlqimin e tyre. Nëse historia e zonjës Daniels do të dilte pas këtij regjistrimi, ajo do të kishte minuar strategjinë e Trump-it për të hedhur poshtë ato që dëgjohet duke thënë në regjistrim, tha Steinglass.

Është kritike të vlerësohet sepse në të njëjtën kohë që ai hodhi poshtë citimet e tij në regjistrime si biseda në dhomën e zhveshjes, Trump po negocionte për t’i mbyllur gojë një aktoreje të filmave pornografikë,” tha prokurori.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT