Këngëtari dhe artisti Kastro Zizo ka zbuluar për Top Albania Radio një rrëfim tronditës mbi marrëdhënien me vajzën e tij, tashmë 13-vjeçare, dhe betejën ligjore që po përballet për të rifituar kontaktin e humbur për më shumë se një dekadë.
Zizo zbulon se vajza e tij është në spektër autik, një fakt që ai e ka mësuar vetëm pas shumë viteve të shkëputjes së detyruar. Ai pohon se për rreth 10 vite nuk i është lejuar të ketë asnjë kontakt me të bijën, e cila sipas tij është rritur në kushte që ai i përshkruan si “të tmerrshme”.
“Vajza nuk është si fëmijët e tjerë. Është në spektrin autik, vjen si pasojë e një historiku të gjatë, pak të errët, ku ka jetuar te nëna e saj,” – shprehet Zizo.
Ai shton se procesi ligjor për të rivendosur marrëdhënien me vajzën është më shumë se një çështje prindërore; është një përballje me padrejtësinë:
“Në një moment kur nuk të lejohet të shohësh vajzën për 10 vite, mëson se ajo është autike. Mua më është ndërprerë çdo kontakt. Mesa duket kanë menduar se nuk isha i denjë, kanë tentuar të rrisin jo një qenie njerëzore, nuk kanë ditur të rrisin një fëmijë.”
Artisti rrëfen gjithashtu udhëtimin e tij drejt Prishtinës, ku ka mësuar më shumë për situatën e vajzës pas informacioneve nga shërbimet sociale:
“Vajza është marrë nga unë në kushte të tmerrshme. Shkova në Prishtinë, u lajmërova nga shërbimet sociale, jetonte me të ëmën.”
Ky rrëfim i hapur nga Kastro Zizo vjen si një thirrje për vëmendje ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta dhe për të drejtat e prindërve për të qenë pjesë e jetës së tyre.






