LEZHË – Prokuroria e Lezhës ka nisur hetim penal ndaj katër punonjësve të OSHEE-së, një ditë pas vdekjes tragjike të elektricistit 27-vjeçar Mark Prenga. Hetimi ka për qëllim zbardhjen e rrethanave për shkelje të protokolleve të sigurisë dhe për dyshimin për shpërdorim detyre.
Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, nën hetim janë një inxhinier elektrik, 34 vjeç, dhe tre elektricistë të tjerë të OSHEE-së, të moshave 23-62 vjeç. Ngjarja ndodhi të enjten në mëngjes, kur 27-vjeçari ra në kontakt me rrymën elektrike gjatë riparimit të një defekti në një shtyllë pranë nënstacionit të Rrilës.
Hetimet paraprake sugjerojnë se protokollet e sigurisë nuk janë respektuar. Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë e Lezhës për veprime të mëtejshme.






