Zv/kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së që pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka vijuar hetimet ndaj Ballukut, duke ngritur edhe një akuzë tjetër për shkelje të barazisë në tendera, këtë herë për Unazën e Madhe të Tiranës.
Në deklaratën e tij, Këlliçi akuzon kryeministrin Edi Rama për përfshirje në afera korruptive, bashkë me zëvendësen e tij. Ai thekson se faktet, përgjimet dhe interesat gjeopolitike tregojnë për një vullnet të qartë korruptiv që shkon deri në majën e qeverisë.
“Skandali Balluku-Rama nuk është një incident i izoluar, por pjesë e një skeme korruptive që lidhet drejtpërdrejt me kryeministrin. Nuk ka më asnjë justifikim moral, politik, logjik apo ligjor që Edi Rama të vazhdojë të mbetet Kryeministër i Shqipërisë. Çdo politikan i zgjedhur me votë, çdo veprimtar politik dhe çdo qytetar ka detyrimin të reagojë ndaj kësaj përgjegjësie,” deklaroi Këlliçi.
Ai thekson se dorëheqja e menjëhershme e Ramës është e domosdoshme për ringritjen institucionale dhe normalizimin politik të vendit, duke e quajtur situatën si fundin moral dhe historik të qeverisë aktuale.






