3.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Kërcënim / Si i zhvati 30 vjeçari paratë vajzës së pasur nga Tirana

“Festim zemër, jam në shkollë. Më prit sa të mbaroj dhe të shkoj t’i marr e të t’i sjell. Mos u mërzit’.

Ky mesazh që mund të lexohet si përkushtim dhe përkujdesje në një raport, mes një femre dhe personit të zemrës së saj, por në fakt është një mesazh frike dhe nënshtrimi.Pas këtij mesazhi fshihen dhjetra kërcënime dhe shantazhe për denigrim publik.

Festim O. është një 30 vjeçar i shpallur në kërkim nga policia për gjobëvënie dhe arratisje. I riu nga Librazhdi sipas policisë pasi e shfytëzoi të dashurën e tij nga Tirana, kur e kuptoi se ajo ishte ‘e pasur” dhe mund të përvetësonte akoma më tepër para nga të ardhurat e prindërve, i rriti kërkesat dhe nisi të vendosë gjoba ndaj saj.E reja, studente dhe banuese në kryeqytet u njoh me Festim O. gjatë pushimeve verore dhe për një kohë të gjatë e ndihmoi duke i plotësuar kërkesat, pasi ai ankohej vazhdimisht për pamundësitë dhe vështirësitë e jetës.

“U takuam për herë të parë në Himarë dhe më pas lidhja jonë vijoi, isha e dashuruar pas tij”, tregon e  reja e cila për disa kohë është kërcënuar dhe shantazhuar nga 30 vjecari.

“Do publikoj fotot tona intime, do i shpërndaj ngado, do ua nis prindërve dhe të njohurve”, i shkruan mes të tjerash  i kërkuari, i bindur se sa herë që ai kërkonte para ajo do ja jepte në zarf madje do i lutej për takimin sa më shpejt dhe ku të dëshironte ai .

E reja tregon në polici: “ Nga fillimi i tetorit  pas njohjes, i dhashë me dëshirën time dhurata të shumta. Meqënëse kishte nevojë nisa t’i jap para, shuma të ndryshme. Njëherë i dhashë 8 mijë lekë, më pas  60 mijë lekë të reja, më pas 40 mijë lekë të reja, e kështu sa të mundja”.

“Këto shuma nuk ja dhashë nga kërcënimet dhe as kanosjet apo shantazhet, por ja dhashë me dëshirë, pasi herë pas here kishte probleme me punësimin”- thotë më tej studentja që citohet nga burime policore që trajtuan rastin.

Por ndërsa për një kohë të gjatë studentja ka paguar shpenzimet e të dashurit që pak nga pak, siç u kuptua më vonë nuk po gjente me justifikime për të kërkuar ndihmë dhe para. Ai kishte menduar që çastet intime t’i fotografonte për t’i shfytëzuar si një plan B.

“I dashuri më kërkoi një shumë prej 2 mijë euro. Më tha se do shkonte në Gjermani. Më vendosi afat. I tregova se nuk mundja ku t’i gjeja aq para  sepse do më kuptonin prindërit dhe pastaj Festimi ma shtyu afatin, më urdhëroi se mund ta zbriste në 1200 euro” deklaron e reja.

Mbas shumë ditës, sipas hetimit dhe komunikimit me telefon, vajza i shkruan: “Nuk munda t’i siguroj lekët”.

Sipas policisë 30 vjeçari nga Librazhdi acarohet dhe i përgjigjet “ Nëse nuk i gjen paratë , do të publikoj fotot, do të nxjerr të zhveshur jashtë shtëpisë dhe nëse tregon do të vras”

E ndodhur para një fakti të tillë 22 vjeçarja njofton prindërit dhe kërkon prej tyre zgjidhje. Mbas dorëzimit të shumës së kërkuar, 30 vjeçari u arrestua pranë një lokali të njohur, por teksa  gjykata e la nën arrest shtëpie, ai rezulton se  është arratisur dhe për këtë shkak është shpallur në kërkim që prej dhjetorit 2019

Nga kqyrja e aparatit të telefonit të gjobëvënsit  agjentët janë shtangur kur  kanë zbuluar se në rubrikën e mesazheve  janë gjetur fotografitë e vajzës së kërcënuar, emrin e të cilës 30 vjeçari e kishte shënuar shkurt “plehra”.

Në njërën nga bisedat studentja shkruan “ Festim zemër, hajde merri se mos m’i gjejnë lekët të shtëpisë, dhe të lutem fshiji fotot e mia se do ti jap lekët që do”.

Në një bisedë tjëtër e reja  shkruan” kur të vish në Tiranë më njofto, ku je se kam frikë mos e marrin vesh prindërit, më merr të lemë orarin për lekët”

Komunikimi i fundit i studentes është  “ porosinë ta kreva, dhe nesër ti do t’i fshish fotot siç më premtove”

I riu sipas agjentëve nuk është gjendur në banesë kur është tentuar t’i komunikohet akuza .“Ai jeton në Librazhd dhe zbuluam që është arrarisur ndaj dhe është shpallur në kërkim dhe përveç shtrëngimit me anë të kanosjes për marrje pasurie do të hetohet edhe për largim nga vendi i të burgosurit” mbylli shpjegimin , sipas të cilit, të rinjtë duhet të bëjnë shumë kujdes me të dhënat personale dhe kujt ja besojnë privatësinë.

“Shumë partner dhe ish partnerë rezulton se gjatë pandemisë kanë gjobitur dhe përvetësuar shuma , duke përdorur fotografi dhe video intime të shkrepura gjatë lidhjes” theksoi zyrtari i njësisë C ., pranë policisë së shtetit.

“Distancimi social dhe kufizimet e lëvizjeve kanë sjellë një bum denoncimesh , për krimet që kryhen përmes rrjeteve sociale , ku përfshihen jo vetëm gjobëvëniet por edhe mashtrimet kompjuterike” mbyll rrëfimin  e tij eksperti i policisë

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT