7.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Këshilli Ekonomik Kombëtar rinis punën me një fokus të ri dhe një platformë për dialog më të hapur

Kryeministri Edi Rama ka drejtuar mbledhjen e parë të Këshillit Ekonomik Kombëtar (KEK) për këtë vit, duke filluar një kapitull të ri për riaktivizimin e dialogut mes qeverisë dhe biznesit. Këshilli do të shërbejë si një platformë e përmirësuar për dialog, duke krijuar komitete sektoriale të veçanta për të adresuar çështje të specifikuara.

Sekretari i KEK do të luajë një rol kyç si pikë hyrëse për adresimin e shqetësimeve dhe problematikave të biznesit. Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar një inovacion të ri, “Shtëpia e Biznesit”, e cila do të shërbejë si një vend i dedikuar për takime dhe adresimin e problematikave të biznesit.

Kryeministri Rama ka shprehur optimizëm për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë, duke përmendur sukseset e vitit të kaluar në turizëm dhe investime të huaja direkte. Megjithatë, ai ka shtuar se ende ka sfida dhe punë për të bërë, veçanërisht në kontekstin e negociatave të integrimit evropian.

Ky hap i ri në Këshillin Ekonomik Kombëtar shënon një përpjekje për të thelluar bashkëpunimin dhe dialogun mes qeverisë dhe sektorit të biznesit, me qëllim rritjen ekonomike dhe avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Faktikisht është diçka që e thonë të gjithë, që viti që sapo mbyllëm ishte një vit i mirë për ekonominë shqiptare dhe ishte një vit i jashtëzakonshëm në mënyrë të veçantë për turizmin në Shqipëri, duke bërë që të ardhurat nga turizmi të kalojnë shifrën e 3 miliardë eurove, duke bërë që numri i turistëve të jetë më shumë se trefishi i popullsisë rezidente në Shqipëri dhe nga ana tjetër, duke bërë që gjithë kjo situatë pozitive e ekonomisë të reflektohet edhe në një rënie të mëtejshme të papunësisë, në 10.5%.

Në anën tjetër, viti i shkuar ishte viti me shifrën më të lartë të investimeve të huaja direkte dhe po ashtu edhe një vit që na dha progres të mëtejshëm edhe në hapjen e ekonomisë sonë në rajon, por jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, me më shumë aktorë, më shumë aktivitet edhe jashtë kufijve të vendit me një bilanc tregtar të përmirësuar më tutje, me eksporte të rritura dhe me një interes shumë të rritur të investitorëve të huaj, sidomos në fushën e energjisë dhe turizmit për të investuar në Shqipëri.

Nuk dua të zgjatem më tutje me panoramën aktuale të ekonomisë sepse ne, këtë Këshill e konsiderojmë një instrument për të adresuar bashkërisht problemet, për të diskutuar bashkërisht për mënyrën se si duhet t’i qasemi sfidave dhe për të ndërvepruar me sektorin privat dhe me institucione të tjera të pavarura, në mënyrë që procesi i rritjes të jetë një proces që të shfrytëzojë sa më shumë nga potenciali i Shqipërisë edhe nga mundësitë ende të pashfrytëzuara që ne kemi.

Kështu që mendoj se për të hyrë më në detaje, duhet të flasin njerëzit më të duhur në këtë tryezë, duke filluar nga Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, e cila ka një përgjegjësi të posaçme, në radhë të parë në aspektin që sapo thashë të krijimit të sinergjisë, një sinergjie sa më optimale mes insitucioneve dhe sipërmarrjes, të leximit sa më adekuat të të gjitha problematikave që sipërmarrja has apo që zhvillimi ynë ndesh për shkak të rregullave dhe për shkak të burokracisë dhe patjetër duke adresuar me sa më shumë ngulm edhe një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me procesin e avancuar të integrimit evropian.

Shqipëria tanimë ka filluar negociatat me BE, proces shumë impenjues, jo vetëm për qeverinë, jo vetëm për institucionet publike, por është shumë impenjues edhe për vetë sipërmarrjen, kështu që duke ju falenderuar edhe një herë të gjithëve për praninë tuaj këtu, anëtarët e nderit qe janë në ekran; profesor Hausman, proferor Roller dhe një mike e paepur e Shqipërisë Tahseen Sayed e cila për një periudhë të karrierës së saj, ka drejtuar Bankën Botërore në Tiranë.

Dhe duke ia lënë ministres fjalën që dhe t’ju njohë me një risi të bukur që mendoj do të jetë një mundësi më shumë për të shtuar dialogun me sipërmarrjen dhe për t’i dhënë më shumë peshë komunikimit mes sipërmarrjes dhe qeverisë dhe më shumë shpejtësi, -unë dua të falenderoj edhe Sekretarin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, i cili vjen nga sipërmarrja dhe i cili pranoi ftesën e ministres për t’u bërë pjesë e këtij kapitulli të ri të Këshillit Ekonomik Kombëtar.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT