Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin që “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.
Kështu tha ai gjatë një bisede me gazetarët në Prishtinë.
“Ne besojmë se Asociacioni është një çështje urgjente, është një çështje urgjente në agjendën e dialogut, ka marrë një rëndësi edhe më të madhe pas ngjarjeve të fundit në veri. Presim që Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”, theksoi Chollet.
Ai shtoi se SHBA-ja nuk e mbështet diçka që i ngjan Republika Srpskës.
“Ne nuk po kërkojmë nga Kosova të mbështesë asnjë marrëveshje që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”.
“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”, tha ai.
Chollet tha se SHBA-ja beson se dialogu është mjeti më i mirë për Kosovën për ta siguruar të ardhmen e saj të plotë evropiane dhe euroatlantike.
Ai tha se SHBA-ja dëshiron ta shpenzojë energjinë e saj diplomatike në punën drejt të ardhmes euroatlantike të Kosovës, dhe se do të donin të shpenzonin më pak energji në menaxhimin e krizave.
Chollet tha gjithashtu se mesazhi i tyre për Beogradin është që mos të ketë akte provokuese dhe të punohet drejt shtensionimit të situatës.
Zyrtari amerikan shtoi se marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën “mbeten shumë të forta”, dhe se vizioni i tyre për vendin është “një Kosovë multietnike, e pavarur, sovrane, e sigurt dhe demokratike”, duke shtuar se janë për integrimin e plotë të vendit në strukturat evropiane dhe euro-atlantike”.
“Ashtu si SHBA-ja, edhe Kosova është një shoqëri e larmishme, multietnike dhe ne besojmë se diversiteti i bën vendet tona më të forta. Ne besojmë se Qeveria e Kosovës duhet ta festojë atë diversitet dhe duhet të vendosë politika që sjellin sukses për të gjithë kosovarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.
Chollet tha se duhet të festohet për të gjitha ato që ka arritur Kosova ndër vite, por shtoi se do të “vijnë shumë sfida”.
“Ne nuk duam ta shohim duke u shpërdorur gjithçka që është arritur dhe nuk duam ta shohim atë potencial të madh, që mendoj se është real, të parealizuar”, tha ai
Para takimit me gazetarë, Chollet takoi liderët institucional dhe të partive politike opzitare në Kosovë./REL