Pjesëtarët amerikanë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) kanë hasur në mjete të dyshimta në një mulli të braktisur në fshatin Banjskë, vend ku vitin e kaluar ndodhi një sulm vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës.
Në një komunikatë zyrtare, Policia e Kosovës bëri të ditur se pas njoftimit nga KFOR-i, njësitë policore kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë konfiskuar materialet e dyshimta.
Sipas policisë, nga ky operacion janë sekuestruar:
• Uniforma ushtarake
• Tre gjoksore për mbajtje të armatimit
• Tre granata dore
• Tre karikatorë të zbrazët të armës së gjatë
• Dy shokë bomba
• Një bombë ndriçuese
• 28 fishekë të armës së gjatë
Ky rast vjen pas një aksioni tjetër të Policisë së Kosovës më 28 shkurt në fshatin Rodel të Leposaviqit, ku u konfiskuan armë, municione dhe uniforma ushtarake që, sipas autoriteteve, i përkisnin organizatës “Mbrojtja Civile”, e shpallur organizatë terroriste nga qeveria e Kosovës.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, kanë deklaruar se këto gjetje dëshmojnë se grupet e armatosura të organizatës “Mbrojtja Civile” vazhdojnë të jenë aktive në Kosovë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të identifikuar përgjegjësit dhe për të parandaluar çdo kërcënim të mundshëm për sigurinë në vend.