Kjo e hënë shënon ditën e parë të muajit të madhërishëm të Ramazanit. Nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Lauren Luli, i ftuar në një emision televiziv, ka bërë deklarata të rëndësishme për rëndësinë dhe përfitimet e muajit të Ramazanit për besimtarët.
Luli shprehu se muaji i Ramazanit është një periudhë shumë e rëndësishme për të gjithë besimtarët, pasi ofron një transformim të jashtëzakonshëm për individin. Ai renditi disa prej veçorive që përfitohen gjatë këtij muaji, duke përfshirë rregullimin e marrëdhënieve me Zotin, si dhe zhvillimin e vetive dhe virtyteve që ndikojnë në shoqërinë e individit.
“Adhurimi i agjërimit është adhurim i thjeshtë. Mjafton të ndjekësh kalendarët, në të cilat tregohen dy orare ku duhet pasur kujdes, kur fillon agjërimi, deri në atë orar lejohet ngrënia dhe pirja dhe më pas njeriu privohet nga ngrënia pirja dhe marrëdhëniet intime dhe aty starton agjërimin e ditës deri në orën e mbrëmjes ku hapet iftari.
Ato që i plotëson këto janë edhe sjelljet, bisedat apo përkushtimi në adhurime që duhet të jetë më i ngjeshur dhe më korrekt në këto ditë”, u shpreh Luli.
Po ashtu, Luli instruktoi besimtarët që aplikojnë për herë të parë agjërimin, duke theksuar rëndësinë e kujdesit në sjellje dhe biseda gjatë kësaj periudhe. Ai theksoi se adhurimi i agjërimit është i thjeshtë, duke e përshkruar procesin e agjërimit dhe rëndësinë e sjelljes dhe përkushtimit në adhurime gjatë këtyre ditëve të shenjta.