Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas problemeve teknike në platformën ku shfaqen rezultatet e zgjedhjeve, duke sqaruar se të dhënat do të publikohen sapo të mblidhen nga terreni.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se sistemi është përballur me mbingarkesë për shkak të interesimit të madh të qytetarëve.
“Janë evidente problemet teknike në platformë. Të dhënat janë duke u mbledhur nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ. Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për t’u qasur në platformën e rezultateve, është shkaktuar mbingarkesë në sistem,” deklaroi Elezi.
Ai siguroi se të gjitha ekipet e KQZ-së janë në terren dhe po punojnë për të transmetuar të dhënat sa më shpejt të jetë e mundur.






