Në kufirin Poloni-Bjellorusi rritet presioni i ardhjes së migrantëve. Presidentja e Komisionit Europian, Von der Leyen kërkon sanksione të reja kundër Bjellorusisë. Lituania do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.
Për shkak të ashpërsimit të grindjes për refugjatët me Bjellorusinë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen kërkon sanksione të reja kundër regjimit në Minsk. Ky regjim duhet të ndalë “instrumentalizimin cinik të migrantëve”, për qëllime politike është shprehur Von der Leyen në Bruksel. Ajo kërkoi nga shtete anëtare të BE, “miratimin e zgjerimit të rregullores së sanksioneve kundër autoriteteve bjelloruse, që janë përgjegjëse për këtë sulm hibrid”. Von der Leyen ka diskutuar edhe me krerët e qeverive e vendeve fqinje si Polonia, Lituania, Letonia, masat për mbështetjen në këtë krizë të re.
Përplasje verbale
Lituania ndërkohë po ndërmerr masa të ashpra. Qeveria e vendit baltik, anëtare e BE kërkon të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, për këtë ajo i ka paraqitur parlamentit në Vilna një vendim të posaçëm për miratim. Kabineti qeveritar iu përgjigj kështu propozimit të ministres së Brendshme, Agne Bilotaite. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki dhe ministri i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczack vizituan kufirin me Bjellorusinë të martën, zonën Kuznica (09.11.) Kreu i qeverisë falënderoi në një postim në Facebook policët, ushtarët dhe mbrojtjen kufitare në këtë situatë të tensionuar.
Kurse Bjellorusia ka paralajmëruar të martën Poloninë nga provokimet. “Duam më parë ta paralajmërojmë palën polake, të mos përdorë provokime të çfarëdo lloji, me qëllim që të (…)justifikojë aksione të mundshme ushtarake kundër njerëzve të paarmatosur e të pambrojtur”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në Minsk.
Ndërkohë BE po punon sidomos për sanksionimin e shoqërive të fluturimit nga shtete të treta, që “janë pjesëmarrës në transportimin e migrantëve nga Bjellorusia”, tha Von der Leyen. Sipas të dhënave, zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Margaritis Schinas do të udhëtojë së shpejti në vendet origjinë dhe tranzit të migrantëve “për të siguruar që shtetasit e këtyre vendeve të mos bien në grackën e krijuar nga autoritetet bjelloruse.” BE akuzon pushtetmbajtësin, Aleksander Lukashenko se po sjell me qëllim refugjatë nga Lindja e afërt në BE për t’u hakmarrë për sanksionet e Brukselit.
Mijëra vetë i afrohen gardhit
Polonia, Letonia, Lituania kanë njoftuar për kalimin ilegal të kufirit nga Bjellorusia në mijëra raste. Të hënën zëdhënësi i qeverisë polake bëri të ditur, se ishin grumbulluar 3000 deri në 4000 migrantë në afërsi të kufirit polak. Ministri i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak shkroi në twitter, se do të angazhohen tani 12.000 ushtarë në kufi, 2000 më shumë se më parë. Forca të tjera janë vendosur në gatishmëri. “Shumica e njerëzve në Poloni e mbështesin kursin e ashpër të qeverisë”, tha korrespondentja e Deutsche Welles, në Poloni, Magdalena Gwozdz-Pallokat, nga ana tjetër “ka organizata humanitare që përpiqen të furnizojnë refugjatët me ushqime e batanije.” Ajo vetë ka qenë ditët e fundit në zonën kufitare për të parë gjendjen.
SHBA ka kërkuar nga Bjellorusia të ndalë menjëherë “fushatën e orkestrimit dhe nxitjes ilegale të fluksit të refugjatëve përmes kufijve të saj në BE”. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price tha, se Uashingtoni dënon përdorimin e “njerëzve të cenueshëm” nga “qeveria Lukashenko”.
Për shkak të fluksit të refugjatëve në kufirin me Poloninë, ministri federal i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer ka kërkuar mbështetje nga BE. “Këtë nuk mund ta bëjë vetëm as Gjermania dhe as Polonia”, tha Seehofer për gazetën “Bild”. “Ne duhet t’i ndihmojmë qeverisë polake në sigurimin e kufijve të jashtëm të BE. Kjo është në të vërtetë detyrë e Komisionit Europian. Prandaj ndaj tij apeloj që të aktivizohet.” Seehofer akuzoi Lukashenkon, se përdor fatet e refugjatëve “për të destabilizuar” BE.
/DW