10.5 C
Tiranë
Friday, November 22, 2024
spot_img

Kryeministri Rama për median serbe: ““Shqipëria e Madhe nuk ka ekzistuar kurrë në gjuhën tonë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për median e njohur serbe “Euronews”, ku ka folur për shumë çështje të rajonit, duke u ndalur kryesisht te dialogu mes Kosovë dhe Serbisë, si dhe ideja për “Shqipërinë e Madhe”.

Rama e ka nisur intervistën me konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se “Zgjidhja e çështjes midis Serbisë dhe Kosovës është e domosdoshme dhe është me të vërtetë thelbësore për zhbllokimin e potencialit që ekziston në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë”.

Lidhur me padinë për gjenocid kreu i qeverisë tha se nuk duhet të vazhdohet të humbet kohë duke mos e zgjidhur konfliktin.

“Së pari, kjo është një çështje shumë e komplikuar në aspektin e përmbajtjes ligjore. Së dyti, unë mendoj dhe e kam thënë publikisht, në bisedime dhe po jua them edhe juve, ne duhet të fokusohemi tek zgjidhja e këtij konflikti dhe tek e ardhmja. Dhe ne duhet të mendojmë më shumë se sa vite mund të vazhdojmë të humbim duke mos zgjidhur këtë konflikt. Nuk ka fitues pa zgjidhje. Gjenocid është një fjalë shumë mirë e përkufizuar në arkitekturën juridike të njerëzimit dhe mendoj se do të ishte jo një iniciative që do të sillte rezultate, që do të ndihmonte paqen dhe bashkëpunimin, por është një vendim i pavarur i tyre dhe jo i imi apo i shqiptarëve”, tha Rama.

Më tej, kreu i qeverisë shqiptare ka thënë se “do të ishte mirë nëse shqiptarët dhe serbët mund të imitonin francezët dhe gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore”.

Edi Rama beson se Serbia dhe Shqipëria duhet të përdorin të gjitha mundësitë, ndërsa ka deklaruar se BE “nuk mund të na tregojë se çfarë mund të bëjmë dhe çfarë nuk mund të bëjmë. Ose popujt e Ballkanit do të kenë një perspektivë të qëndrueshme dhe do të kenë vendin e tyre në BE, ose gjëra të ndryshme mund të ndodhin”.

Ndërkohë, duke u ndalur tek ideja e “Shqipërisë së Madhe”, Edi Rama ka deklaruar për median serbe se “Shqipëria e Madhe nuk ka ekzistuar kurrë në gjuhën tonë dhe nuk është një trillim që kam gjetur në librat tanë të historisë ose në disa mendime dhe trashëgimi të mendjeve tona të mëdha. Shqipëria e Madhe është një term që ka origjinën jashtë Shqipërisë dhe është inkurajuar nga ata që dëshironin të krijonin një përbindësh të rrezikshëm, i cili natyrisht do të ishte shqiptar i rrezikshëm. Shqipëria e Madhe është marrëzi më vete”.

I pyetur nëse do ta mbështeste padinë në rast se Kosova ia kërkon një gjë të tillë, Rama ka sugjeruar se pala kosovare, pavarësisht së drejtës autonome për të vendosur, duhet më parë të ndjekë një shteg konsultimesh me aleatët dhe partnerët e saj.

“Ne kemi qenë shumë të qartë, më shumë se njëherë. Parlamenti shqiptar ka miratuar shumë rezoluta në historinë e tij dhe gjëja e fundit për të thënë, dhe është shumë e rëndësishme, është se ne nuk jetojmë në një botë ku jemi të vetëm. Ndaj kemi partnerë dhe aleatë. Vetë Kosova është një realitet i ri që është rezultat i përpjekjeve madhore brenda dhe jashtë Kosovës. Ndaj kjo lloj ideje madhore apo vendime madhore nuk duhet të merren vetëm pse dikush mendon  ashtu, por duhen marrë përmes një shtegu të qartë konsultimesh dhe duke dëgjuar partnerët dhe aleatët dhe deri më sot nuk kam dëgjuar askënd të mbështesë këtë ide. E kam fjalën për partnerët dhe aleatët”, shtoi ai.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT