Në përfundim të orarit zyrtar të procesit të votimit, kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi, iu kërkoi të gjithë krerëve të partive politike që të ruajnë qetësinë, gjatë numërimit të votave.
Celibashi tha se KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet që rezultati për partitë dhe koalicione të dalë brenda 48 orëve. Kreu i KQZ theksoi se do të nisë menjëherë numërimi i votave, sapo të përmbyllet totalisht procesi i votimit dhe të transportohen kutitë në vendet e numërimit.
“Nga informacionet që ka KQZ, rezulton se ky proces zgjedhor u karakterizua nga qetësia dhe siguria. Natyrisht që nuk mund të shpëtonim nga disa episode, por në përgjithësi mund të thuhet që ishte një proces zgjedhor, ose proces votimi, në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor.
Dua të jem i sinqertë e të pranoj se ka qenë një tension i madh në KQZ, në lidhje me ecurinë e procesit të identifikimit elektronik, për faktin se ishte një proces shumë i vështirë nga shumë pikëpamje, që do duhej dhe u realizua në një kohë të shkurtër. Dua të them se janë më pak se 200 qendra votimi, rreth 167, në të cilat nuk është përdorur pajisja e identifikimit elektronik. Në 86 prej tyre nuk u përdor për faktin se nuk u paraqitën operatorët dhe në pjesën tjetër për shkak të pamundësisë së operatorëve për të përdorur pajisjen. Mendoj që ky projekt mund të konsiderohet me sukses të plotë dhe padiskutim që meritën kryesore e ka nënkomisionerja Pelinku, të cilën gjej rastin ta përshëndes.
Tani që procesi i votimit ka përfunduar, ose është duke u përfunduar, është e nevojshme të sjell në vëmendje detyrimet e komisionerëve për të përmbyllur procesin. Do të presim të numërohen fletët e votimit për të marrë vesh se kush është fituesi i këtyre zgjedhjeve. Partitë të ruajnë qetësinë. Gjithë lidershipi politikë duhet të kuptojë se ka nevojë për shumë qetësi në këtë moment. KQZ ka marrë të gjitha masat që procesi i numërimit të përfundojë brenda 48 orëve për partitë politike dhe koalicionet, për të vijuar me rezultatin për kandidatët. Gjithë procesi i numërimit të fletëve të votimit do të jetë i vëzhguar nga vëzhgues vendas e ndërkombëtarë. Do të fillojmë menjëherë procesin e numërimit, sapo të përmbyllim procesin e votimit dhe transportimin e kutive në mënyrë të sigurt në vendet e numërimit të votave”, tha Celibashi.