Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ashtu si dy muaj më parë, i është drejtuar qytetarëve serbë në Kosovë në gjuhën e tyre duke i njoftuar se kanë 61 ditë afat që t’i konvertojnë targat e tyre në “RKS”.
Në një postim në Facebook, kreu i Qeverisë tha se targat që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës kanë skaduar në tetor të vitit të kaluar, ndërsa i kujtoi atyre se ato janë nga koha e Millosheviçit.
“Targat janë trashëgimi i regjimit të Millosheviqit. Kjo trashëgimi është një barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon të ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar”, tha ai.
Kurti përmes një video i njoftoi serbët për qendrat e regjistrimit të automjeteve ku mund t’i konvertojnë targat duke dhënë dhe shifrat që përbëjnë ato.
“Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës…. Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre”, tha Kurti.
Ai ritheksoi se qytetarët që i ndërrojnë targat, lirohen nga taksa e detyrime tjera që arrijnë vlerën deri në 5,000 euro.
“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro”, tha Kurti.
Fillimisht reciprociteti i targave, sipas vendimit të qeverisë së Kosovës të 29 korrikut, duhet të hynte në fuqi më 1 gusht por pas disa situatave të tensionuara në pikat kufitare u shty me 1 muaj. Ndërkohë më 27 gusht kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç u takuan në Bruksel ku dhe u arrit marrëveshja për reciprocitetin e dokumenteve por jo për targat. Qeveria e Kosovës vendosi që duke filluar nga 1 shtatori për dy muaj të gjithë qytetarët serbë që jetojnë në territorin e saj duhet të konvertojnë targat e tyre.