Ish-banori i Big Brother VIP Kosova 4, Labinot Rexha, duket se nuk është shkëputur ende nga formati që e bëri pjesë të debatit publik.
Në një postim të fundit në rrjetet sociale, ai ka bërë të ditur se vetëm në natën e finales kanë ardhur mbi 20 mijë vota nga komuna e Rahovec dhe fshatrat përreth.
“Sot mora informata që në ditën e finales, vetëm nga komuna ime Rahovec me fshatrat, kanë ardhur mbi 20.000 vota. Qytetarë të nderuar, muzikantë e këngëtarë të respektuar, ju jam borxhli deri në fund të jetës,” shkruan ai.
Rexha thekson se ka përfaqësuar me dinjitet veten dhe qytetin e tij, duke e cilësuar Rahovecin si vend të njerëzve punëtorë dhe besnikë.
“Fituesi i vërtetë ka qenë Rahoveci dhe Labinot Rexha. Nëse dikujt i ka penguar që fitorja të shkojë në Rahovec, kjo flet më shumë për ta se për ne,” shprehet ai mes të tjerash.
Deklarata e tij ka nxitur reagime të shumta nga ndjekësit, duke rikthyer në vëmendje debatet mbi votimet dhe rezultatin e finales së këtij edicioni.






