Media spanjolle “El País” i ka kushtuar një analizë të thelluar skandalit të ministres së Infrastrukturës dhe Zhvillimit Urban, Belinda Balluku, dhe ndikimit të projektit të ri të qeverisë Rama, ministren virtuale Diella, e krijuar për të monitoruar prokurimet publike dhe për të luftuar korrupsionin.
SPAK kërkoi pezullimin e Ballukut për “shkelje të barazisë në tenderët publikë”, një vendim që u mbajt në fuqi nga Gjykata Kushtetuese më 6 shkurt, duke e lënë ministre të pezulluar. El País e titullon artikullin: “Laboratori i Evropës ku Inteligjenca Artificiale lufton ose fsheh korrupsionin”, duke analizuar tensionet politike, skepticizmin e qytetarëve dhe reagimet e opozitës dhe shoqërisë civile.
Kryeministri Edi Rama, i njohur edhe për karrierën e tij si basketbollist i kombëtares, prezantoi Diellën si një “ministre virtuale” e aftë të përpunojë të dhëna dhe të sigurojë transparencë në tenderët publikë. Rama sqaroi: “Nuk po i delegojmë [Diellës] përgjegjësinë për të qeverisur apo për të marrë vendime përfundimtare. Po i japim përgjegjësinë të bëjë atë që bën më mirë: të përpunojë të dhëna me shpejtësi dhe të na japë përgjigje shumë të shpejta. Tenderët publikë do të jenë 100% pa korrupsion”.
Opozita reagoi menjëherë, duke pyetur: “Kë do të arrestojë policia nëse kjo ministre gabon apo lehtëson një mashtrim? Programuesin?” Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, theksoi: “Nëse sistemi që përdor këto mjete nuk ka integritet, inteligjenca artificiale rrezikon të kthehet në një ‘kuti të zezë’ që përqendron pushtetin në vend që të zbulojë abuzimet”.
Skandali u thellua me arrestimin e drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), përfshirë drejtoreshën Mirlinda Karçanaj, për manipulim tenderësh dhe ushtrim presioni ndaj biznesit privat. Demonstrata opozitare më 24 janar dhe më 10-11 shkurt kërkuan dorëheqjen e Ramës, duke përfshirë incidente përpara zyrës së kryeministrit.
Aktorja Anila Bisha, e cila i dha zërin dhe imazhin Diellës, paditi qeverinë për përdorim të paautorizuar të figurës së saj, ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e quajti ministren virtuale “propagandë të pastër”. Ekspertët e pavarur ngritën dyshime mbi efektivitetin real të inteligjencës artificiale në luftën kundër korrupsionit. Andi Hoxhaj, profesor i së drejtës në King’s College London, vëzhgoi: “Ende është herët për të vlerësuar efektivitetin e Diellës”. Ndërsa Rovena Sulstarova nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim tha: “IA mund të rrisë transparencën, por nuk përbën zgjidhje më vete”.
Shkrimtari dhe intelektuali Fatos Lubonja, i cili kaloi 17 vite burg gjatë diktaturës komuniste, shprehu skepticizëm të thellë ndaj qeverisë: “Njëra janë oligarkët, të gjithë njerëzit e pasur që e rrethojnë. Njëra është media që ata zotërojnë ose financojnë. E treta është krimi i organizuar. Dhe e katërta është mbështetja ndërkombëtare, veçanërisht nga Evropa Perëndimore dhe SHBA-ja”. Lubonja përfundoi: “Nuk besoj se SPAK-u i vetëm mund ta ndryshojë vendin. Nuk mund ta reformosh vetëm sistemin e drejtësisë kur politika, ekonomia dhe krimi i organizuar po lëvizin të gjitha në drejtim të kundërt. Dhe Rama nuk po vepron me mirëbesim”.
Analiza e El País thekson se Diella mund të rrisë efikasitetin dhe transparencën, por nuk mund të zëvendësojë vullnetin njerëzor dhe nevojën për përgjegjësi reale në qeverisje. Shqipëria mbetet përballë sfidës së harmonizimit të teknologjisë me integritetin institucional dhe luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.






