Legjenda e futbollit belg, Glen De Boeck, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare pas një hemorragjie të madhe në tru që e la në koma për tre ditë. Sipas mediave të huaja, ish-mbrojtësi i njohur i Anderlechtit u rrëzua në shtëpi të premten dhe më pas u dërgua me urgjencë në Spitalin Universitar të Antwerpit, por dëmtimi ishte i rëndë dhe ai nuk mundi të mbijetonte.
Familja e tij konfirmoi lajmin e trishtë, duke theksuar se De Boeck vdiq i rrethuar nga të dashurit e tij. Ai la pas dy vajza, Bo dhe Caro.
Karriera e tij sportive filloi te klubi i qytetit të lindjes, FC Boom, para se të nënshkruante për Mechelen. Në vitin 1995 u transferua te Anderlecht, ku shërbeu si kapiten i skuadrës dhe luajti për dhjetë vjet deri në pensionimin në vitin 2005 për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju.
Pas tërheqjes nga futbolli, De Boeck filloi karrierën e tij si ndihmës trajner te Anderlecht, përpara se të merrte drejtimin e ekipeve të ndryshme si Cercle Brugge, Germinal Beerschot, VVV-Venlo në Holandë, dhe më pas rikthehej në Belgjikë për të drejtuar Beveren, Mouscron, KV Kortrijk dhe Lokeren.
Glen De Boeck do të mbahet mend si një ikonë e futbollit belg, jo vetëm për karrierën e tij si lojtar, por edhe për kontributin e tij si trajner dhe mentor për gjeneratat e reja.






