35-vjeçari që lidhi dhe keqtrajtoi shqiponjën dje në Përmet është arrestuar sot nga policia. N.A., 35 vjeç, banues në Pëmet, kishte kapur një shqiponjë dhe e kishte lidhur me disa tela.
Denoncimi i këtij rasti u bë fillimisht në rrjetet sociale. Më pas policia erdhi në vend dhe e zgjidhi shqiponjën, që iu dorëzua veterinerëve për ndërhyrje.
Policia identifikoi autorin dhe u bë e mundur prangosja e tij. Gjatë kontrollit në banesë iu gjetën edhe 2 sorkadhe, të cilat i kishte vrarë me armë gjahu 2 ditë më parë.
Njoftimi i Policisë:
Përmet
Identifikohet dhe arrestohet autori i keqtrajtimit të shpendit (shqiponjë), ngjarje e ndodhur ditën e djeshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, bazuar në inteligjencën policore, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për identifikimin e autorit të keqtrajtimit të shpendit shqiponjë, ditën e djeshme, kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e shtetasit N. A., 35 vjeç, banues në Përmet.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 sorkadhe të cilat ky shtetas ka deklaruar se i ka vrarë me armë gjahu (çifte), dy ditë më parë.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. A., pasi dyshohet të jetë autori i keqtrajtimit të shpendit (shqiponjë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.