Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka reaguar me ironi ndaj Edi Ramës, duke e akuzuar për frikë dhe përpjekje për t’u fshehur pas Sali Berishës. Në një deklaratë të fortë, Basha e cilësoi kryeministrin si një frikacak që nuk guxon të përballet drejtpërdrejt me të, por lë Berishën të bëjë sulmet politike.
“O Rame, ça frikacaku je mor burr, ke vënë doktorin me m’sulmu mu. U mërzit doktori që i sulmoj partnerin. Po dil vet në fushë mor burr, doktori 81 vjeç. Dil vet në fushë, thuaji doktorit merrem unë me Bashën. Siç jeni marrë përpara të dy me mu,” – u shpreh Basha në një mesazh plot ironi.
Lideri i Koalicionit Euroatlantik vijoi duke thumbuar Ramën, duke i kujtuar “7×7, 313” – një referencë ironike ndaj një lapsusi të dikurshëm të kryeministrit. Ai e akuzoi kreun e qeverisë se kërkon ndihmë nga të tjerë për t’u përballur politikisht dhe se nuk ka më “derman” për të dalë vetë në arenën politike.
Kjo përplasje vjen në kulmin e një fushate politike të ashpër, ku marrëdhëniet mes Bashës, Berishës dhe Ramës vijojnë të jenë të tensionuara, duke ndikuar në dinamikat e brendshme të opozitës dhe të politikës shqiptare në tërësi.