Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të opozitës lidhur me procesin e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke deklaruar se të gjitha procedurat janë ndjekur sipas ligjit dhe se tërheqja e firmave nga deputetët opozitarë “nuk prodhon asnjë pasojë juridike”.
Gjatë mbledhjes së komisionit, Manja nënvizoi se kandidatët për Avokat të Popullit kanë kaluar përmes një procesi të plotë verifikimi dhe dëgjese, ndërsa afati për mbledhjen e firmave u mbyll zyrtarisht më 2 dhjetor. Ai theksoi se opozita ka depozituar gjithsej 316 firma, pavarësisht se rregulli lejon që çdo deputet të mbështesë vetëm një kandidat.
“Askush nuk iu detyroi të jepnit 316 firma. Nëse do të kishit zbatuar rregullin, në Kuvend do të kishit sjellë një kandidat e gjysmë,” tha Manja me ironi, duke shtuar se Komisioni i Ligjeve nuk mund të hyjë në hetime politike, por mbështetet vetëm në dokumentacionin zyrtar.
Sa i përket kërkesës së opozitës për tërheqjen e firmave, dorëzuar më 9 dhjetor, Manja u shpreh se ajo është jashtë afatit dhe nuk mund të konsiderohet. “Tërheqja e firmave përtej afatit bie ndesh me parimin e sigurisë juridike. Shteti do të shkonte në kaos nëse firmos në mëngjes e tërhiqesh në darkë,” u shpreh ai.
Manja akuzoi opozitën se po e përdor procesin për qëllime politike. “Mos e ngatërroni kekun me byrekun,” tha ai, duke shtuar se mazhoranca u ka dhënë opozitarëve hapësirë të plotë për të mbështetur cilindo kandidat të dëshirojnë, por tashmë procedura është e mbyllur.
Sipas tij, gjashtë kandidatët që kanë kaluar në fazën finale meritojnë respekt, pasi kanë plotësuar kriteret dhe i kanë dhënë mundësi Kuvendit që, pas më shumë se një viti bllokim, të zgjedhë një Avokat të Popullit me mandat të rregullt.
Procesi pritet të vijojë në seancën plenare, ku për zgjedhjen e Avokatit të Popullit kërkohet një shumicë e cilësuar prej tre të pestave të votave.






