Komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, u shpreh e qartë lidhur me bllokimin e fondeve IPARD për Shqipërinë, duke theksuar se vendi ka ende punë për të bërë në ndryshimin e kulturës politike.
“Po jam e sigurt por duhet të jemi të kujdesshëm. Ka shumë arsye për këtë. Së pari janë paratë e taksapaguesve Europianë. Dhe unë jam përgjegjëse për taksapaguesit e BE-së,” tha Kos.
Ajo shtoi se ndërsa SPAK po jep rezultate dhe verifikimi i gjyqtarëve është duke u kryer, kjo nuk është e mjaftueshme: “Një vend mund të ketë ligjet më të mira kundër korrupsionit. Por nëse korrupsioni pranohet gjerësisht nga njerëzit, atëherë nuk kemi bërë mjaftueshëm. Pra kjo është pika kryesore e veprimit, është e rëndësishme për ne. Por gjithashtu është diçka ku ne jemi vërtet të rreptë.”
Kos e lidhi këtë me përpjekjet e BE-së për të ndihmuar vendet kandidate, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit mbetet një prioritet themelor për procesin e integrimit.






