Një përleshje e përgjakshme ka tronditur qytetin Guayaquil të Ekuadorit, ku gjashtë persona humbën jetën dhe 17 të tjerë mbetën të plagosur gjatë një ndeshjeje futbolli amator mbrëmjen e së dielës.
Sipas policisë ekuadoriane, ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, kur një grup i përbërë nga 6 deri në 7 persona, që udhëtonin me motoçikleta dhe dy automjete SUV, hapën zjarr ndaj turmës së pranishme në fushën e futbollit.
Hetuesit kanë gjetur 85 gëzhoja në vendngjarje, duke treguar për intensitetin e sulmit. Dy persona u vranë në vend, ndërsa katër të tjerë ndërruan jetë në spital nga plagët e marra.
Sipas autoriteteve, dy prej viktimave kishin precedentë penalë të rëndë, dhe pista kryesore e hetimeve lidhet me larje hesapesh mes bandave rivale që kontrollojnë trafikun e drogës në rajon.
Dy të dyshuar janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim, ndërsa policia po vijon operacionet për identifikimin e pjesës tjetër të grupit të armatosur.
Guayaquil, një nga qytetet më të mëdha të Ekuadorit, vitet e fundit është shndërruar në epiqendrën e dhunës së bandave, që luftojnë për territore dhe rrugë trafiku drejt Amerikës Qendrore dhe SHBA-së.






