Ka marrë një kthesë të fortë çështja e dhunimit të babë e bir në Fier, pas reagimit publik të motrës së efektivit të policisë Fredi Lamaj, e cila hedh poshtë kategorikisht akuzat e bëra nga Altin Meçaj.
Meçaj kishte deklaruar në media se ai dhe babai i tij ishin dhunuar nga polici, pas një “like”-u dhe një komenti komplimentues që ai pretendon se i kishte bërë motrës së Lamajt në rrjetet sociale. Por sipas saj, ky version nuk qëndron.
Në një reagim të gjatë dhe të detajuar, motra e efektivit sqaron se vëllai i saj nuk ka qenë i përfshirë në asnjë konflikt fizik dhe se kjo, sipas saj, mund të provohet lehtësisht. Ajo thekson se deklaratat e Meçajt janë të pavërteta dhe se ai po paraqitet padrejtësisht si viktimë.
Ajo shkon më tej duke publikuar mesazhet që, sipas saj, ka marrë nga 46-vjeçari, duke deklaruar se nuk bëhet fjalë për një koment të vetëm, por për mesazhe të shumta, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat ajo i cilëson si ngacmim dhe përndjekje.
Sipas saj, komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar, pasi ajo nuk ka kthyer asnjë përgjigje dhe as nuk ka pasur mundësi teknike për të komunikuar me të. Këto veprime, thekson ajo, i kanë shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare.
Për këtë arsye, motra e policit bën me dije se ka ardhur enkas nga Italia, ku jeton, për të depozituar një kallëzim penal për përndjekje ndaj Altin Meçajt, duke deklaruar se veprimet e tij kanë pasur pasoja të rënda në jetën e saj dhe të familjes.
Ajo shton gjithashtu se, sipas informacioneve të marra nga persona të tjerë, sjellje të ngjashme të Meçajt dyshohet se janë përsëritur edhe ndaj vajzave të tjera.
Sa i përket dhunës së pretenduar së fundmi nga 46-vjeçari, ajo deklaron se ngjarja nuk ka asnjë lidhje me familjen Lamaj dhe se, sipas dijenisë së tyre, nuk është shkaktuar nga vëllai i saj apo persona të afërt me ta.
Në përfundim, ajo kërkon që çështja të trajtohet me qetësi, paanshmëri dhe verifikim faktesh, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin njerëzor, ndërsa shprehet se reagimi i saj publik vjen vetëm për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin e një personi që, sipas saj, është i pafajshëm.






