Reperja e njohur amerikane Cardi B ka zbuluar se ka rënë pre e një skeme mashtrimi financiar, ku persona të panjohur përdorën kartën e saj të American Express për të kryer shpenzime të mëdha.
Sipas saj, hajdutët kanë shpenzuar rreth 60 mijë dollarë në total, përpara se karta të bllokohej. Konkretisht, rreth 40 mijë dollarë janë përdorur për blerje në dyqane luksoze, ndërsa 20 mijë dollarë të tjera për produkte të Apple.
Artistja e bëri publik rastin përmes një videoje live në Instagram, ku tregoi se karta i kishte humbur prej rreth dy javësh. Ajo u shpreh e revoltuar dhe paralajmëroi autorët se do të përballen me drejtësinë.
“Më lini t’ju them se do të shkoni në burg deri në fund të javës,” deklaroi ajo, duke shtuar se ka siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë ku shfaqen katër persona duke përdorur kartën e saj.
Reperja theksoi se është shumë e kujdesshme me financat dhe nuk toleron humbje të tilla, duke paralajmëruar se do të kërkojë dëmshpërblim. Kujtohet se në një intervistë të mëparshme për Complex, ajo kishte deklaruar se pasuria e saj neto i kalon 88 milionë dollarët, por pavarësisht kësaj, kontrollon me kujdes çdo shpenzim.






