9.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Mediat turke publikojnë detaje të reja lidhur me lëvizjet e “bosit” të mashtrimit që fshihet në Shqipëri

Mediat turke kanë publikuar detaje të reja në lidhje me arratinë e bosit të kriptomonedhës turke “Thodex”, Faruk Fatih Özer, i cili besohet se fshihet në Shqipëri prej më shumë se dy javësh.

Faruk Fatih Özer u arratis nga Turqia në drejtim të Shqipërisë duke u ulur në Rinas, ku u prit nga një çift misterioz shqiptarësh, sipas mediave turke, të cilat së fundmi kanë publikuar edhe detaje mbi vendin se ku fshihet ai.

Media turke “EnSonHaber” shkruan se fill pas ardhjes në Shqipëri, Faruk Fatih Özer u vendos në një hotel pranë Zogut të Zi në Tiranë duke prenotuar tre netë, por se doli prej andej natën e dytë duke u fshehur në një shtëpi pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë. Ajo ishte shtëpia e çiftit që e priti në Rinas.

“EnSonHaber” raporton duke ui referuar burimeve nga policia turke se Faruk Fatih Özer nuk ndejti shumë aty pasi u zbulua nga autoritetet duke u transferuar në një tjetër zonë, pikërisht në zonën e “Myslym Shyrit” në kryeqytet. Por nuk ishte e thënë për turkun e famshëm pasi edhe ky vend ku ai fshihej u zbulua nga policia duke bërë që të transferohet sëfundmi në zonën e “21 Dhjetorit” ku edhe ka humbur gjurmët.

Mediat turke raportojnë se ai dyshohet se fshihet ende në Shqipëri me synimin për t’u arratisur në një prej vendeve të Ballkanit si Maqedonia, Mali i Zi, por edhe Bosnja.

Ndërkohë, policia sipas mediave turke ka blinduar edhe Fierin e Vlorën pasi dyshohet se Faruk Fatih Özer mund të arratiset me skaf për në Itali.

Në momentin që “Thodex” shpalli falimentin mendohet se i ka shkaktuar investitorëve një dëm prej 2 miliard dollarësh, të cilat dyshohet se Faruk Fatih Özer i ka përvetësuar.

Ndërkohë, mediat turke raportojnë se ai ka me vete një vlerë prej 108 milion dollarësh në kriptomonedhë, të cilat mund t’i këmbejë në para përmes grupeve kriminale.

Edhe pse arratia e tij në Shqipëri është një ndër temat kryesore aktualisht në Turqi, policia shqiptare nuk ka bërë deri më tani asnjë deklaratë mbi ecurinë e kërkimeve për Faruk Fatih Özer.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT