Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi në Festivalin Rinor të partisë së saj, Vëllezërit e Italisë, se Italia po provon aftësinë për të qeverisur dhe për t’u përballur me kërcënimet që “shumëfishohen”, por se vendi nuk do të trembet. Kjo deklaratë erdhi pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, një ngjarje që sipas Melonit theu heshtjen dhe ngriti zërat për liri dhe mendim të pavarur. 
Sipas fjalimit të saj:
“Pashë njerëz që shtypnin bluza me foton e Kirkut, me gjakun e tij që i rridhte në qafë dhe frazën ‘tani ai e fitoi këtë debat publik’. Ai ishte i rrezikshëm sepse dekonstruktonte narrativën kryesore, duke përdorur logjikën. Ata donin ta ndalonin sepse ishte i lirë, i guximshëm dhe i aftë.” 
Meloni kritikoi ashpër përpjekjet për të heshtur ata që mendojnë ndryshe, dhe shprehu keqardhje për njerëzit që i shohin persona të tillë si Kirk si “kërcënim” sepse sfidon imazhet dhe narrativat që disa mund të përpiqen t’u imponojnë të gjithëve. 






