Ministri i Jashtëm i Irani, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani nuk ka kërkuar asnjëherë armëpushim apo negociata me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kundërshtuar pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump se Irani synon një marrëveshje për ndalimin e konfliktit.
Në një intervistë për emisionin Face the Nation të CBS News, Araghchi u shpreh se Irani nuk sheh arsye për të zhvilluar bisedime me Uashingtonin, duke theksuar se dialogu mes palëve ishte duke vazhduar edhe në momentin kur, sipas tij, SHBA ndërmori sulme.
“Ne kurrë nuk kemi kërkuar armëpushim dhe as negociata. Nuk shohim arsye pse duhet të bisedojmë me amerikanët, sepse ne po bisedonim me ta kur ata vendosën të na sulmojnë, dhe kjo ishte hera e dytë”, u shpreh ai.
Kryediplomati iranian shtoi se konflikti aktual është një luftë e zgjedhur nga presidenti amerikan dhe nga SHBA.
“Ky është një konflikt i zgjedhur nga Presidenti Trump dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa ne do të vazhdojmë të mbrojmë veten”, deklaroi Araghchi.






