6.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Ministrja Xhaçka takim me homologun maqedonas: “Forcimi i bashkëpunimit mes nesh ndikon edhe tek rajoni”

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka  ka zhvilluar një takim zyrtar me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Xhaçka inkurajoi aktorët politikë, që t’i përmbushin angazhimet për t’i hapur rrugë procesit të integrimit.

“Ndihem krenare që bashkëpunimi mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut është kthyer tashmë në një model të bashkëpunimit mes fqinjëve në rajonin tonë. Përmes këtij bashkëpunimi, vendet tona po arrijnë jo vetëm të intensifikojnë e zgjerojnë shkëmbimet në nivelin bilateral, por janë duke dhënë edhe një kontribut gjithnjë e në rritje në zhvillimin e ndërlidhjen e rajonit dhe veçanërisht në garantimin e orientimit të tij në mënyrë të pakthyeshme drejt perspektivës euroatlantike”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Ministrja duke u ndalur në temat e diskutimit me Osmanin informoi se është folur për intensifikimin e bashkëpunimit në disa fusha me interes të përbashkët.

 

 

“Ne patëm mundësinë të diskutojmë ashtu siç tha Bujari për mënyrat sesi mund ta intensifikojmë edhe më tej bashkëpunimin mes nesh në fusha si infrastruktura, energjia, shkëmbimet tregtare, turizmi, arsimi, kultura etj. Me Bujarin ndajmë një vizion të përbashkët edhe për Korridorin apo Iniciativën 8 e cila përtej dimensionit të saj rajonal e evropian, mund e duhet të shërbejë edhe si boshti i bashkëpunimit e shkëmbimeve mes vendeve tona. Unë e di që Bujari ka qenë veçanërisht aktiv në promovimin e kësaj iniciative dhe dua të ndaj me ju faktin që edhe Qeveria Shqiptare është duke punuar për këtë iniciativë, e cila sot përtej dimensionit thjesht infrastrukturor e ekonomik, ka përftuar edhe një dimension të rëndësishëm sigurie në kontekstin e luftës në Ukrainë. Pra, forcimi i bashkëpunimit mes nesh ka një vlerë që shkon përtej interesit tonë dypalësh, por ndikon tek rajoni, e duke ndikuar tek rajoni ndikon padyshim edhe në sigurinë e stabilitetin e Evropës”, tha Xhaçka.

Sipas ministres Xhaçka është përgjegjësi e dy vendeve të thellojnë reformat dhe të bashkëpunojnë ngushtë, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.

“Ne sot takohemi si ministra të jashtëm të dy vendeve anëtare të NATO, por takohemi po ashtu edhe si ministra të jashtëm të dy vendeve që janë në prag të hapjes së kapitujve të parë të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kjo na vë para përgjegjësisë të thellojmë reformat dhe të bashkëpunojmë ngushtë edhe në këtë proces me rëndësi parësore duke pasur si synim kryesor ruajtjen e momentumit që ka fituar ky proces së fundmi”, vijoi ministrja.

Ajo tha se, “viti 2022 ka qenë historik për dy vendet tona me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, por 2022 ka qenë një vit i mirë edhe për rajonin, me Bosnje-Herzegovinën që mori statusin e vendit kandidat apo Kosovën që aplikoi për anëtarësim dhe që më në fund, pas një zvarritjeje të padrejtë, ju çel rruga për liberalizimin e vizave.
Viti u përmbyll me organizimin e samitit të BE-BP në rajon, në Tiranë çka ishte një sinjal i qartë i ruajtjes së fokusit të BE ndaj rajonit tonë pra, gjërat janë duke lëvizur, vështirësi padyshim ka e do të ketë shumë, por ne duhet të përpiqemi dhe punojmë që të ruhet kjo dinamikë e mirë dhe procesi ynë i integrimit të avancojë qëndrueshëm dhe me rezultate konkrete”.

Ajo inkurajoi aktorët politikë në RMV, që t’i përmbushin angazhimet për t’i hapur rrugë procesit të integrimit, ndërsa vlerësoi rolin dhe kontributin e shqiptarëve në RMV, duke e cilësua atë të patjetërsueshëm.

“Në këtë kontekst, dua të vlerësoj maksimalisht rolin dhe kontributin e patjetërsueshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata kanë dëshmuar se janë kontribues të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit, përkrahës të pa rezervë të proceseve të integrimit, ndaj përkujdesja për respektimin dhe zbatimin e të drejtave të tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe akteve të tjera ligjore, duhet të vazhdojë. Shqiptarët në MV, por edhe pakica maqedonase në Shqipëri, mbeten një urë e fortë lidhëse, miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve tona”, theksoi ajo.

Duke folur për situatën gjeopolitike në Evropë, Xhaçka u shpreh se sulmet kibernetike kanë shtuar kompleksitetin e sfidave dhe foli për domosdoshmërinë e bashkëpunimit.

“Ne takohemi sot në një situatë vërtet të paprecedentë sigurie, në kushtet kur situata gjeopolitike në Evropë e në botë po ndryshon me shpejtësi, çfarë e bën rajonin tonë dhe vendet të rajonit tonë objekt potencial sulmesh e problematikash që lidhen me stabilitetin dhe sigurisë. Mund të përmend këtu sulmet kibernetike kundër dy vendeve tona, të cilat e kanë shtuar kompleksitetin e sfidave të sigurisë dhe që mund të përballohen vetëm me një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet nesh në rajon, si dhe me partnerët tanë evropianë e amerikanë”, shtoi ajo.

Sa i takon situatës në rajon, ministrja Xhaçka thekoi se marrëveshja Kosovë-Serbi do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Situata në rajon është bërë shumë më komplekse pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, por edhe për shkak të zhvillimeve të brendshme në vendet e rajonit, të ngarkuara me situata krizash e stabilitet të brishtë. Në këtë kontekst, ndava me kolegun Osmani, vlerësimin tonë lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Ne e mirëpritëm marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars për zbatimin e aneksit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe pse dokumenti nuk është nënshkruar prej tyre. Ne e vlerësojmë rolin lehtësues të qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe është një rastësi e mirë që marrëveshja kornizë e Ohrit është nënshkruar në të njëjtën ndërtesë 22 vjet më parë. Ne mendojmë se kjo marrëveshje do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike dhe konsolidimin institucional demokratik. Mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit që është pjesë integrale e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”, deklaroi Xhaçka.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT