Mjeku Adrian Jorgji reagoi ndaj pretendimeve të qarkulluara se vaksinat anti-Covid mund të shkaktojnë tumore, duke theksuar se deri më sot nuk ka asnjë studim shkencor që e vërteton këtë lidhje.
I ftuar në një emision televiziv, Jorgji shpjegoi se për të akuzuar një vaksinë si shkaktar të tumoreve, nevojiten prova të forta dhe të mbështetura nga të dhëna afatgjata. “Që të arrijmë tek tumori flasim për një organizëm që kompromentohet në nivele madhore. Të bësh fajtor vaksinën duhet të ketë argumente shkencore,” tha ai.
Mjeku shtoi se rreziku real për shëndetin publik vjen nga faktorë të zakonshëm toksikë në ambient, si ajri, uji, pesticidet dhe hormonët, të cilët sipas tij kanë një ndikim shumë më të njohur në zhvillimin e sëmundjeve kancerogjene.
“Ne jetojmë në ambient toksik… Për këto duhet të ngrihet alarmi i madh,” theksoi Jorgji, duke nxitur fokusin tek faktorët e njohur dhe të dokumentuar shkencërisht që mund të ndikojnë në shëndetin e njeriut.






