Ligji për barazinë gjinore u miratua. Shpejt, në orët e vona të natës, pa debat, pa reflektim. Shtatëdhjetë e shtatë deputetë ngritën dorën për një ligj që ndryshon konceptin e vetë gjinisë, duke e zhvendosur nga tiparet natyrore që dallojnë mashkullin nga femra, në “rolet e ndërtuara në kontekstin shoqëror”.
Na thonë se nuk e kemi lexuar ose nuk e kuptojmë, por është e vështirë të mos kuptosh kur diçka synon të ndryshojë vetë themelet e asaj që jemi. Çdo draft që qarkulloi, çdo version që u korrigjua, mbeti thelbësisht i njëjtë. Ndërkohë, përfaqësues të komunitetit LGBTQ+ dhe aktivistë të ndryshëm përpiqeshin të na bindnin se “nuk është ashtu siç duket”. Megjithatë, ligji kaloi.
Deputetët që e miratuan duhet të kujtojnë se, përpara se të jenë politikanë, janë njerëz — prindër, bij, bijë. Secili prej tyre vjen në jetë nga nënë dhe baba. Ky është fakt, jo opinion. Dhe hapësirat që ky ligj lë për deformime të mëvonshme janë mëse të dukshme.
Liria e ndërgjegjes është gjëja më e shenjtë që ka njeriu, sepse i jep dinjitet. Dhe ndërsa ju kujdeseni të gjeni fjalët e bukura për të uruar Bajramin apo Pashkët, kujtoni se ky ligj që miratuat është në kundërshtim të plotë me çdo parim moral që përçohet në këto festa.
Nëse nesër do të gjeni fjalët për t’u justifikuar, mos harroni: Zoti e di të vërtetën. Dhe Ai nuk gënjehet.
Nuk dua të mas fenë apo besimin e askujt, por ju kërkoj vetëm një gjë:
Na i kurseni urimet e Pashkëve dhe të Bajramit.
Heshtja, në këtë rast, vlen më shumë se hipokrizia.






