14.5 C
Tiranë
Friday, September 20, 2024
spot_img

Naftëtarët e Ballshit akoma në ‘udhëkryq’: Është propagandë, nuk na kanë informuar ende!

Naftëtarët vijojnë të mbeten në udhëkryq jo vetëm me gjyqet e pagave të pamarra por tashmë edhe për pagën e luftës që ka përcaktuar Ministria e Energjitikës.

1 ditë më parë ministria doli në një komunikim për media për vazhdimësinë e pagës së luftës për naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit. Ditën e sotme kreu i sindikatës Sokol Dautaj tha jashtë kamerave se akoma nuk është zbardhur fletorja zyrtare e këtij vendimi për të mësuar procedurat që do të ndiqen nga naftëtarët e përfshirë në këtë pagë lufte.

Sot, naftëtarët janë paraqitur tek zyra e punës dhe nuk kanë marrë asnjë informacion, por kanë reaguar në faqen e tyre dhe nga dita e nesërme e në vijim do të reagojnë bashkë të organizuar, pasi po e quajnë atë njoftim si propagandë mediatike.

Naftëtarëve kjo pagë lufte do ju hidhet nga janari 2022 ndërkohë jemi me 3 shkurt dhe akoma nuk janë informuar mbi procedurat që duhet të ndjekin në këtë aplikim edhe për vitin 2023.

Ja vendimi i Këshillit të Ministrave për naftëtarët

Është publikuar VKM-ja për naftëtarët e Ballshit që do të përfitojnë nga paga minimale gjatë vitit 2022. Kategoritë që nuk do të përfitojnë janë të punësuarit apo të vetëpunësuarit, ata që kanë dalë në pension pleqerie ose invaliditeti dhe ata që nuk janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë. Naftëtarët përfitues duhet që të plotësojnë disa të dhëna personale dhe t’i dorëzojnë ato tek zyra e punës.

𝗩𝗲𝗻𝗱𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗞ë𝘀𝗵𝗶𝗹𝗹𝗶𝘁 𝘁ë 𝗠𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗮𝘃𝗲:

VENDIM
PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT NGA PUNONJËSIT DHE ISH-PUNONJËSIT E RAFINERISË SË NAFTËS, BALLSH

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Dhënie pagëse kalimtare, në masën e pagës minimale në shkallë vendi, për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh, pas verifikimit nga zyra përkatëse e punësimit të listës emërore, sipas vendimit nr.909, datë 18.11.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh”, të ndryshuar, për çdo muaj, për periudhën janar 2022– dhjetor 2022.

2. Punonjësve, sipas pikës 1, të këtij kreu, t’u paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për pjesën e punëmarrësit e të punëdhënësit për periudhën janar 2022 – dhjetor 2022, duke iu transferuar fondi përkatës Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE

1. Pagesa kalimtare për punonjësit, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, jepet çdo muaj për periudhën janar 2022 – dhjetor 2022, pranë zyrës së punësimit, ku kanë vendbanimin.

2. Pagesa kalimtare përfitohet nga punonjësit, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, pavarësisht nëse kanë përfituar apo jo më parë ndihmë financiare.

3. Pagesa kalimtare u jepet punonjësve sipas listës së miratuar me vendimin nr.909, datë 18.11.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh”, të ndryshuar, pas verifikimeve nga zyra përkatëse e punësimit, duke përjashtuar nga përfitimi personat që:

a) janë të punësuar apo vetëpunësuar;
b) kanë dalë në pension pleqërie apo invaliditeti;
c) nuk janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë.

4. Punonjësit kërkues duhet të paraqesin pranë zyrës përkatëse të punësimit të dhënat e mëposhtme identifikuese, si:

i. emrin, mbiemrin;
ii. numrin personal të identifikimit;
iii. llogarinë bankare, në të cilën ka marrëveshjen zyra e punësimit;
iv. IBAN-in e llogarisë bankare.

III. PROCEDURA E VERIFIKIMIT PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE

1. Zyra përkatëse e punësimit, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e kërkesës, bën verifikimet përkatëse në sistemin tatimor mbi të dhënat e deklaruara nga kërkuesit.

2. Zyra përkatëse e punësimit, brenda 5 (pesë) ditëve të çdo muaji, gjatë periudhës së përfitimit, bën verifikimet sipas pikës 1, të këtij kreu, përpilon listat përmbledhëse të përfituesve, të ndara për çdo bankë të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë rrjedhëse bankare, të cilat i dërgon pranë bankës së nivelit të dytë. Lista duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:

a) Emrin, mbiemrin e përfituesit;
b) Numrin personal të identifikimit të përfituesit;
c) Bankën, ku ka marrëveshjen zyra përkatëse e punësimit;
ç) IBAN-in e llogarisë bankare;
d) Masën e pagesës.

3. Zyra përkatëse e punësimit ruan dhe administron dokumentacionin e përcaktuar sipas këtij vendimi, në përputhje me dispozitat ligjore e nënligjore të parashikuara për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivat.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Fondi prej 420 000 000 (katërqind e njëzet milionë) lekësh përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2022 për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, përkatësisht në zërin “Pagesa e papunësisë”, të programit buxhetor 10550 “Tregu i punës”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT