Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të doktor Shahin Kadaresë, njëherësh vëllai i shkrimtarit Ismail Kadare.
Përmes një mesazhi në “Twitter” kryedemokrati vlerëson figurën e Shahin Kadaresë, jo vetëm si mjek, por edhe si intelektual guximtar që në dhjetor të vitit 1990 ndryshoi historinë e vendit.
Sipas Bashës, identiteti intelektual i Shahin Kadarese është garancia që shoqëria jonë do të ketë fuqi të nxjerrë gjithmonë garantë të vlerave politike, njerëzore, dhe profesionale.
“Me hidhërim të madh mësova lajmin e ndarjes nga jeta të doktor Shahin Kadaresë. Përveç se një mjek me kontribute të pashlyera në fushën e tij, doktor Shahini do të mbetet në memorien e Shqipërisë si pjesë e atyre intelektualëve guximtarë që në Dhjetor të vitit 1990 ndryshuan historinë e vendit.
Edhe më ai pas nuk rreshti së qenuri një mendje e ndritur kritike, antikonformist, dhe një profesionist i shkëlqyer në fushën e mjekësisë, duke nderuar emrin e madh të familjes së tij. Identiteti intelektual i Shahin Kadarese është garancia që shoqëria jonë do të ketë fuqi të nxjerrë gjithmonë garantë të vlerave politike, njerëzore, dhe profesionale. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.”, shkruan Basha.