11.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Ndërtimet ecin me ritme të larta,çmimet e apartamenteve do të vazhdojë të ritet dhe në 2022

Kryeqyteti Tirana tashmë është kthyer në një kantier ndërtimi dhe aktiviteti i ndërtuesve parashikohet që edhe këtë vit të jetë i garantuar. Ndërtuesit pohojnë se në vitin 2021, për shumicën e kantiereve të reja të ndërtimit, përfundoi deri në 10% të volumit të punës. Vijimi i punimeve për këtë vit në këto subjekte do të shtojë aktivitetin e sektorit.

Shoqata e Ndërtuesve thotë se vazhdimi i projekteve për programet e rindërtimit do të jetë një tjetër arsye që do të ndikojë në shtimin e volumit të punës. Zgjerimi i sektorit të ndërtimit pritet të japë efekte pozitive edhe në zinxhirin e nënsektorëve të tjerë. Rritje të volumit të kontratave këtë vit konfirmohet edhe nga studiot arkitekturore për arredimin e shtëpive.

Administratorja e kompanisë “GBarchs Architects”, Gladiola Balliu, pohoi për “Monitor” se kërkesa parashikohet në rritje për arredimin e shtëpive, kryesisht të vilave që po ndërtohen në zonat bregdetare, më shumë në Vlorë dhe në rrethe nga emigrantët.

Apartamentet, rritja e çmimeve do të vijojë edhe në 2022

Rritja e çmimeve të apartamenteve do të vijojë edhe për vitin 2022. Në vitin 2021, brenda vijës së verdhë të ndërtimit në kryeqytet, nuk gjeje çmime nën 1,000 euro/m². Ndërtuesi Hajredin Fratari pohoi për “Monitor” se në 2022, çmimet e apartamenteve do të rriten 5% për shkak të shtimit të kostove të ndërtimit nga shtrenjtimi i materialeve, tokës, mungesës së punëtorëve të cilët kanë emigruar jashtë Shqipërisë.

“Zhvillimi i lejeve të reja në Tiranë, për shumicën e ndërtimeve, rezulton të ketë përfunduar 10% e objektit. Vijimi i zhvillimit të lejes ndërtimore do të garantojë punën edhe për 2-3 vitet e ardhshme për sektorin e ndërtimit. Pavarësisht se oferta do të rritet, çmimet nuk do të shënojnë rënie.

Për 2022, pritet që çmimet të rriten 5%, për shkak të shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit. Një ndërtues për blerjen e 1 ton hekuri, para 10 vjetësh paguante 400 euro, ndërsa sot paguan 850 euro. Për sektorin do të vijojë të mbetet problem edhe mungesa e punëtorëve të ndërtimit, pasi shumica e tyre po emigrojnë në Itali dhe Gjermani.

Një specialist i mesëm ndërtimi, preferon më tepër të punojë në Europë për 3 muaj me pagë 1,200 euro/muaj sesa në Shqipëri. Punësimet sezonale do të vijojnë të rriten edhe në 2022. Kjo do të rrisë kostot për ndërtuesit, pasi punëtorët që disponon do t’i paguajnë me paga më të larta”.

Jonian Antoni, CEO i “Century 21 Albania” dhe anëtar bordi i Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësuesve (NAREA) thotë se, edhe këtë vit, do të vijohet me rritje të shëndetshme të çmimeve 2 deri në 4%. “Është shumë e vështirë të parashikosh tregjet. Nëse do të ishim aq të bindur, do të investonim dhe do të fitonim nga investimet. Ajo çka mund të themi është se si në Tiranë dhe në zonat bregdetare parashikojmë rritje çmimesh nga 3-5% çdo vit për 4-5 vitet e ardhshme.

Arsyeja e rritjes është inflacioni, që shoqërohet me rritje të pagave dhe rrjedhimisht, rritje të mundësive për të blerë. Çmimet e pronave rriten çdo vit. Duhet të ketë ndonjë krizë botërore, që të shikojmë rënie të dukshme të çmimeve të tyre. E parë nga këndvështrimi profesional, në përgjithësi, Shqipëria ka pasur rritje të shëndetshme të pronave në nivelet e inflacionit dhe rritjes ekonomike nga 2 deri në 4%”.

Në Tiranë, çmimet e apartamenteve për periudhën nga 2015 deri në 2021 brenda Unazës së Vogël dhe në zonën e ish-Bllokut janë rritur 20% sipas Jonian Antoni, CEO të “Century 21 Albania”. Rritja është e strukturuar, pohon ai, pasi ka ndodhur gradualisht çdo vit në përputhje me inflacionin dhe rritjen ekonomike.

“Në disa qytete të vogla dhe jo interesante ka pasur edhe rënie të çmimeve, por qytetet e mëdha dhe ato bregdetare kanë parë çdo vit rritje. Nëse analizojmë Tiranën, çmimi mesatar i pronave në kryeqytet është rritur nga 720 euro/m² në 2015 deri në 880 euro/m² në 2021. Rritje prej 19% në 6 vjet, e cila është më se e pranueshme dhe në linjë me rritjen e pagave dhe ekonomisë së vendit. Nëse flasim për zona të caktuara duhen analizuar me kujdes.

P.sh., brenda Unazës së Tiranës, çmimi është rritur nga 1,000 euro/m² deri në 1,250 euro/m² në 6 vjet (rritja 20%). Në zonat më pak elitare, çmimi mesatar është rritur nga 2,000 euro/m² në 2,500 euro/m² në 6 vitet e fundit (rritja 20%). Theksojmë se këto janë rritje të shëndetshme, të cilat të argumentuara me arsyet e rritjes janë mjaft të justifikueshme. Të mos harrojmë që Tirana është ende larg çmimeve maksimale dhe standardeve ndërkombëtare.

P.sh., çmimi më elitar në Tiranë është rreth 3,000 euro/m², që ndoshta duket shumë për Shqipërinë, por nëse e krahasojmë me një metropol europian, si Vjena, Milano apo të tjerë, është të paktën 10 herë më i ulët. Në këto zona, 3,000 euro/m² nuk blihet pronë as në periferitë e thella, ndërsa qendrat e tyre, kanë çmime nga 20,000 deri në 30,000 euro/m².”

Shtyrja e afatit të procesit të rivlerësimit deri më 31 prill 2022 me afat pagese të taksës deri në fund të muajit korrik pritet të frenojë rritjen e lartë të shitjes të apartamenteve. Përfaqësuesja e agjencisë “The Point”, Ilda Zaloshnja, pohon se çmimet e apartamenteve për vitin 2022 do të rriteshin 10%, nëse procesi do të përfundonte.

Rivlerësimi ishte përcaktuar të mbyllej më 31 dhjetor 2021, por për shkak të numrit të lartë të aplikimeve të papërfunduara, u shty deri më 31 prill. Sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës Shtetërore, për vitin 2021 aplikuan 56,000 individë, nga të cilët 58% e tyre e përfunduan procesin. Pjesa e mbetur aplikuan për rivlerësimin, por nuk paguan në kohë tatimin e reduktuar.

Rritja e çmimeve të apartamenteve, e nxitur dhe nga pastrimi i parave

Ylla Sula, drejtuesi i “Çelësi Grup”, parashikon se për vitin 2022, çmimet nuk do të lëvizin. Sipas tij, tregu i pasurive të paluajtshme do të jetë në stanjacion, ndërsa pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit nuk favorizon uljen e çmimeve. “Nuk janë arsyet ekonomike të tregut që kanë ndikuar te rritja e çmimeve në këto nivele. Në 2021 kaloi piku i dallgës për zonën gri. Për pjesën dërmuese të lejeve të miratuara që kanë nisur punimet, çmimet u përcaktuan në 2021. Çmimet e apartamenteve për vitin 2022 do të jenë në stanjacion.

Nuk parashikohet të bien, por edhe të rriten në nivele të tjera. Pritet të ketë rritje të çmimeve vetëm për ndërtime që do të spikasin për shkak të origjinalitetit në arkitekturë, apo të vendndodhjes specifike, siç mund të jetë një fshat i ri rezidencial. Çmimet e këtyre ndërtimeve nuk do të jenë trend për apartamentet e tjera në Tiranë”.

Edhe Juliana Nela, nga real state “Remax” konfirmon se çmimet e apartamenteve për 2022 do të jenë në stanjacion. Në 2021, sipas znj. Nela, çmimet e apartamenteve u rritën, pavarësisht rritjes së stokut të ndërtimeve të reja.

Rritja e kërkesës, nga tërmeti dhe pandemia

Për vitin 2022, kërkesa për apartamente do të vijojë rritjen. Drejtuesi i “Century 21 Albania”, Jonian Antoni, thotë se arsyet e rritjes afatshkurtër të kërkesës janë tërmeti i 2019-s dhe pandemia. “Tërmeti i 2019, ndryshoi tërësisht kërkesën. Shumë blerës që kishin mundësi, kanë blerë shtëpi në ndërtesa të reja (ose të ulëta), të cilat kanë baza cilësore dhe teknike më të sigurt.

Pandemia ka ridimensionuar gjithë tregun botëror, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Shumë njerëz, të cilët kanë mundësi, kanë shitur shtëpitë më të vogla për të garantuar më shumë hapësira. Përballë frikës se në të ardhmen mund të kemi sërish lockdown, ata blerës që kanë mundësi, kanë menduar t’i sigurojnë vetes më shumë hapësira. Kjo ka nxitur efekt zinxhir për të shitur shtëpinë e parë dhe për të blerë një shtëpi më të madhe”.

Për sektorët e mobilimit dhe të tregtimit të pajisjeve hidrosanitare e pllakave, pritet që 2022 të vijojë me shtim të kërkesës dhe shtrenjtim të çmimeve. Për shkak të rritjes së çmimeve të lëndëve të para drusore në tregjet ndërkombëtare, çmimet e mobilieve në 2021 u rritën 15%. Ilir Linza, administrator i FPM (Fabrika e Prodhimit të Mobilieve), thotë se çmimet do të rriten edhe 5% më shumë në 2022.

“Është e vështirë të bësh një parashikim për ecurinë e 2022, pasi pritshmëritë zhvillohen në periudhë normale. Në 2020, nuk e kisha parashikuar që shitjet për 2021 të ishin kaq të larta, duke marrë në konsideratë vështirësinë ekonomike që njerëzit kaluan nga pandemia.

Muaji më i dobët ka qenë nëntori, krahasuar me muajin tetor 2021, kur pati bum shitjesh. Për 2022 presim sërish ecuri të lartë të kërkesës. Për eksportin ka pasur njëfarë hezitimi, për shkak të rritjes së çmimeve. Në tregun vendas, çmimet e mobilieve u rritën 3% në muajin janar 2021, 5% më 1 qershor dhe 5% më 1 tetor. Çmimet e lëndëve të para vazhdojnë të rriten, për këtë arsye pritet që mobiliet të shtrenjtohen maksimumi edhe 5%, pasi nuk ka hapësira për më tepër ndryshime në tregun shqiptar”.

Efektet e shtrenjtimit të tarifave të transportit nuk u ndien në vitin 2021 në sektorin e prodhimit të mobilieve, pasi siç thekson Ilir Linza, shitjet ishin 25% më të larta se 2020. “Në vitin 2021, kërkesa më e lartë ishte për eksport, sidomos me Italinë.

Në krahasim me 2020, eksportet në Itali janë dyfishuar. Kërkesa globale për mobilie për 2021 ka qenë e lartë, pasi në shumë vende, në ekonomi janë injektuar më shumë para për të përballuar krizën nga COVID-19. Individët kanë pasur më shumë para në duar, të cilat i kanë investuar për shpenzimet bazike, por edhe për rinovime apo blerje mobiliesh. Pritet që kërkesa të vijojë të jetë e lartë edhe për 2022”.

2022 do të sjellë rritje të çmimeve edhe për pajisjet hidrosanitare dhe pllakat. Nëse në 2021, aktorët e tregut ishin në presionin e rritjes së çmimeve, për shkak të kostove të larta të prodhimit në tregun e huaj, këtë vit, çmimet do të shtrenjtohen në të gjithë sektorin.

Kompania “Billa” parashikon që për vitin 2022 do të ketë rritje të çmimeve të pajisjeve hidrosanitare, si pasojë e rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar. Edhe kërkesa do të rritet të paktën 30%. Sipas zv.Ceo të shitjes së kompanisë, Daniel Çakçiri, parashikimi bazohet në kërkesën e lartë e të vazhdueshme të tregut vendas dhe atij rajonal, por nuk mund të mos merren në konsideratë disa vështirësi që lidhen kryesisht me rritjen e çmimeve në shkallë globale.

“Ndërkohë që për produktet e prodhuara në BE, ka një rritje të fortë të çmimit të prodhimit, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe lëndëve të para të drurit për paletat ambalazhuese. Çmimi i produkteve aziatike vuan nga rritja e lartë e kostove logjistike kur vetëm çmimi i transporti shënon rritje nga 6-7-fish (India) deri në 20 fish (Kina). Të gjitha këto ndikojnë drejtpërdrejt te çmimi. Viti 2022 parashikohet të jetë ai i kërkesës së lartë, por edhe çmimeve më të larta të regjistruara më parë që mund të ndryshojnë thellësisht tablonë e tregut shqiptar për këtë fushë të ekonomisë. Si pasojë, disa nga aktorët më të vegjël të tregut rrezikojnë ekzistencën në këtë vit”.

Për 2021, nga rritja e çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar nuk shpëtoi edhe sektori i pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave. Disa operatorë pohuan se ndryshimet e çmimeve për 2021 i reflektuan vetëm për disa produkte. Ata paralajmërojnë se për 2022 pritet të ndryshojnë masivisht çmimet e hidrosanitareve dhe pllakave, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve nga importi. Pandemia e COVID-19 pritet të shkaktojnë në të gjithë botën krizën e rritjes së çmimeve.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT