Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ftuar sërish nënpresidentin amerikan JD Vance për të vizituar Ukrainën gjatë një telefonate të fundit, por ende nuk ka marrë një përgjigje nga zyrtari amerikan.
Në një intervistë për revistën Time, Zelensky tha se kishte kërkuar nga Vance të rishqyrtonte vendimin e tij për të mos vizituar Ukrainën gjatë luftës. “Ne jemi ende duke pritur për ju,” i tha Zelensky, por sipas burimeve, Vance nuk iu përgjigj ftesës.
Gjatë intervistës, presidenti ukrainas gjithashtu shprehu shpresën që Donald Trump të kuptojë se Vladimir Putin është “më i dobët se sa duket” dhe “nuk mund t’i besohet”.
Zelensky paralajmëroi se të gjitha qytetet ukrainase përgjatë vijës së frontit do të ktheheshin në “mijëra Berlinë” të Luftës së Ftohtë, duke u bërë “zona të vdekura” në hartën e Evropës.
Gjatë një debati të tensionuar në Zyrën Ovale, JD Vance tha se Ukraina po mbështetej tek rekrutimi i madh ushtarak. Në përgjigje, Zelensky e pyeti: “A keni qenë ndonjëherë në Ukrainë?”
Vance iu kundërpërgjigj duke thënë: “Unë në fakt i kam parë dhe i njoh historitë. E di që ajo që ndodh është që ju sillni njerëz dhe i çoni në një turne propagandistik, President.”
Marrëdhëniet mes dy liderëve mbeten të tensionuara, ndërsa Ukraina vazhdon të kërkojë mbështetje të fortë nga SHBA.