Orgest Koka, 28-vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar nga policia në fshatin Xibrakë të Elbasanit, pasi ishte i dënuar nga Gjykata e Apelit në Tiranë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Në zbatim të masave të planit operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Elbasan, kanë lokalizuar dhe kapur shtetasin në kërkim, Orgest Kokën.
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e kishte dënuar Koka me 1 vit e 4 muaj burgim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Autoritetet njoftojnë se veprimet e mëtejshme procedurale do të kryhen nga Komisariati i Policisë Bulqizë, që e kishte shpallur në kërkim këtë shtetas.